Shqipëria humbet nxënës fillorë, rënie 4% ndaj BE

Shqipëria humbet 4% të nxënësve të fillores në një vit, rënia shumë më e fortë se në BE

Në Shqipëri, numri i nxënësve në arsimin fillor vijoi të bjerë edhe në vitin 2024. Nga 146,962 nxënës të regjistruar në vitin 2023, numri zbriti në 141,089, ose 5,873 nxënës më pak brenda një viti. Kjo përfaqëson një rënie prej rreth 4%, dukshëm më të fortë se ajo e regjistruar në Bashkimin Europian, sipas të dhënave të Eurostat.

Në vitin 2024, në arsimin fillor në BE ishin të regjistruar 23.2 milionë nxënës, vetëm 0.2% më pak se një vit më parë, ose një rënie prej 35,153 nxënësish.

Në Shqipëri, rënia ka prekur kryesisht arsimin publik. Numri i nxënësve në institucionet publike ra nga 130,067 në vitin 2023 në 123,491 në vitin 2024, ose me 6,576 nxënës, një tkurrje prej rreth 5.1%. Në të kundërt, arsimi privat ndoqi prirjen e kundërt. Numri i nxënësve në institucionet private u rrit nga 16,895 në 17,598, ose me 703 nxënës, që përfaqëson një rritje prej rreth 4.2%.

Mësuesia, profesion i dominuar nga gratë

Në Shqipëri, 87.6% e mësuesve të arsimit fillor janë gra, ndërsa vetëm 12.4% janë burra, duke dëshmuar një dominim të theksuar të grave në këtë profesion.

Europa

Në një këndvështrim më afatgjatë, situata në Bashkimin Europian paraqitet ndryshe. Krahasuar me vitin 2014, numri i nxënësve në arsimin fillor u rrit me 2.9%, ose me 659,086 nxënës.

Franca regjistroi numrin më të madh të nxënësve në arsimin fillor në vitin 2024, me 4.1 milionë, e ndjekur nga Gjermania me 3.3 milionë, Spanja me 2.8 milionë dhe Italia me 2.6 milionë. Në të kundërt, shifrat më të ulëta u regjistruan në Maltë, me 27,537 nxënës, Luksemburg, me 43,020, dhe Qipro, me 60,596.

Numri i nxënësve në arsimin fillor lidhet me madhësinë e popullsisë, strukturën demografike, si edhe me dallimet mes vendeve sa i përket moshës së zakonshme të fillimit të arsimit fillor dhe moshës në të cilën fëmijët duhet të nisin arsimin formal të detyrueshëm.

Krahasuar me vitin 2014, numri i nxënësve në arsimin fillor u rrit në 15 vende të BE-së dhe u ul në 11 vendet e tjera për të cilat kishte të dhëna të disponueshme. Rritjet më të mëdha relative u regjistruan në Luksemburg (+21.4%) dhe Slloveni (+18.2%), ndërsa rëniet më të forta u shënuan në Poloni (-25.7%), Kroaci (-10.3%) dhe Portugali (-10.0%).

Raporti nxënës-mësues ka rënë që nga viti 2014

Në vitin 2024, në Bashkimin Europian kishte mesatarisht 13.3 nxënës të arsimit fillor për çdo mësues. Raporti nxënës-mësues jep informacion mbi burimet njerëzore në dispozicion të sistemit arsimor dhe mund të përdoret si një tregues i tërthortë për vlerësimin e kushteve të mësimdhënies.

Në vitin 2024, Greqia dhe Luksemburgu regjistruan raportet më të ulëta nxënës-mësues në arsimin fillor, përkatësisht me 7.4 dhe 8.2 nxënës për mësues. Këto ishin të vetmet vende të BE-së me një raport nën 10 nxënës për mësues. Në skajin tjetër, raportin më të lartë e kishte Rumania, me 18.2 nxënës për mësues, e ndjekur nga Çekia dhe Franca, me nga 17.9, Holanda me 16.3 dhe Gjermania me 15.2 nxënës për mësues.

Krahasuar me vitin 2014, raporti nxënës-mësues në nivelin e BE-së ra nga 14.2 në 13.3 në vitin 2024. E njëjta prirje u regjistrua në 23 vende të BE-së. Rëniet më të mëdha u shënuan në Bullgari, ku raporti zbriti nga 17.8 në 10.4 nxënës për mësues, dhe në Slloveni, nga 15.9 në 10.8. Në Austri, raporti mbeti i pandryshuar në 12.0 nxënës për mësues gjatë periudhës 2014–2024. Ndërkohë, në disa vende të tjera raporti u rrit, me ndryshimin më të dukshëm në Lituani, ku ai kaloi nga 10.2 në 13.7 nxënës për mësues. / Eurostat

Scroll to Top