Energji: Projekti 1.2 miliardë euro për energji eolike në Tropojë kalon fazën mjedisore
Projekti energjetik prej 1.2 miliardë eurosh i kompanisë “Eralb Invest 2” në Tropojë ka kaluar një tjetër fazë të procedurave, duke marrë miratimin mjedisor për një park eolik me kapacitet të instaluar prej 366 megavatësh (MW).
Ky miratim mjedisor u lëshua më 15 korrik 2026 për projektin “Parku Eolik Tropojë”. Projekti parashikon instalimin e 60 turbinave me fuqi 6.1 MW secila. Pritet që prodhimi neto i parashikuar të jetë 713.5 gigavatë-orë (GWh) energji elektrike në vit.
Ky zhvillim është pjesë e një projekti më të gjerë të “Eralb Invest 2”, i cili është prezantuar si një investim kompleks në energjinë e rinovueshme me vlerë rreth 1.2 miliardë euro. Në fazat fillestare, projekti kishte statusin “Projekt me Potencial Strategjik” dhe parashikonte një park eolik prej 636 MW me 100 turbina, si dhe një park fotovoltaik prej 190 MW me 418,500 panele.
Deklarata e fundit mjedisore përfshin një kapacitet prej 366 MW dhe përfaqëson një nga hapat që duhet të ndjekë zhvilluesi përpara fazave të mëtejshme të projektit. Dokumenti sqaron se miratimi mjedisor nuk është një leje përfundimtare zhvillimi, por një miratim paraprak që mundëson vijimin e procedurave, me kusht zbatimin e kërkesave për parandalimin dhe minimizimin e ndikimeve në mjedis.
Parku eolik do të zhvillohet në territorin e Bashkisë Tropojë, në qarkun e Kukësit. Sipas dokumentacionit, zona ku parashikohet projekti nuk bën pjesë në rrjetin e zonave të mbrojtura, dhe nga vlerësimi i burimeve ujore nuk rezulton ndonjë konflikt me legjislacionin përkatës.
Bashkia Tropojë ka dhënë gjithashtu miratimin në parim për zhvillimin e parkut, duke e konsideruar atë një projekt me interes për zhvillimin energjetik dhe ekonomik të zonës. Gjatë muajit korrik, është zhvilluar edhe konsultimi publik me banorët dhe përfaqësues të institucioneve vendore e mjedisore.
Projekti ka pësuar disa rikonfigurime dhe ka kaluar nëpër faza të ndryshme procedurash. Në vitet e mëparshme, zhvillimi i tij ishte ngadalësuar edhe për shkak të çështjeve lidhur me sipërfaqet e marra me qira për matje dhe zhvillimin e parkut eolik. Pas rishikimit të parcelave, u lidh një kontratë e re qiraje për 39.02 hektarë, me afat 10-vjeçar. Ndërkohë, statusi strategjik i projektit u shty për t’i dhënë kompanisë kohë për të plotësuar procedurat e nevojshme. Deklarata mjedisore e korrikut i referohet konfigurimit prej 366 MW me 60 turbina.
Në rast se projekti nuk fillon zbatimin në terren brenda dy vjetësh nga miratimi i deklaratës mjedisore, dokumenti do të humbasë vlefshmërinë dhe procedura e vlerësimit të ndikimit në mjedis do të duhet të nisë nga e para.
