Ngushtica e Hormuzit rikthehet në qendër të tensioneve, Irani sulmon anije në ujërat strategjike
Ngushtica e Hormuzit është kthyer sërish në një zonë kritike të përplasjes mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, duke rritur pasigurinë në tregjet globale të energjisë. Irani ka njoftuar se ka ndërmarrë sulme kundër një numri të konsiderueshëm anijesh që synuan të kalonin nëpër këtë rrugë ujore strategjike. Ky veprim nga Teherani cilësohet si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të mëparshme amerikane ndaj tankerëve iranianë të naftës.
Garda Revolucionare e Iranit ka deklaruar se ka shënjestruar dy anije luftarake amerikane, tetë cisterna nafte dhe dhjetë anije të tjera tregtare në rajonin e Gjirit. Sipas Teherani, këto sulme u kryen pas bombardimeve amerikane mbi pesë cisterna iraniane.
Ministria e Jashtme iraniane ka përshkruar sulmet amerikane si “një kërcënim të qartë për paqen dhe sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare”, duke theksuar se Irani ka të drejtën të reagojë në kuadër të “mbrojtjes legjitime”.
Qasja përmes Ngushticës së Hormuzit është kufizuar ndjeshëm që nga fillimi i konfliktit në Lindjen e Mesme. Teherani ka njoftuar se anijet duhet të marrin leje për të kaluar në këtë korridor detar, një kërkesë që është kundërshtuar nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera të rajonit. Irani ka paralajmëruar gjithashtu për krijimin e një “zone të re të ndaluar” pranë rrugës ujore, e cila, sipas Gardës Revolucionare, do të shtrihet në pjesë të Gjirit të Omanit dhe Detit Arabik. Anijet që hyjnë pa leje do të përballen me masa ndëshkuese, sipas paralajmërimit iranian.
Ndërkohë, Zyra e Informacionit për Sigurinë Detare të Mbretërisë së Bashkuar ka raportuar për disa anije që kanë marrë flakë në zona të ndryshme, por pa dhënë detaje mbi viktima apo pasojat e mundshme mjedisore.
