Ukraina godet objektet ruse të gazit; dronët fluturojnë 3 mijë kilometra brenda territorit të Rusisë.
Forcat ukrainase kanë goditur dy objekte të rëndësishme të industrisë së gazit në Siberinë veriperëndimore, rreth 3 mijë kilometra nga kufiri me Ukrainën.
Sipas forcave speciale ukrainase, objektivat ishin dy fabrika të mëdha të përpunimit të gazit në Novy Urengoy dhe në rajonin Purovsky, në Yamal-Nenets, një nga zonat kryesore të prodhimit të gazit në Rusi.
Ukraina e ka cilësuar sulmin si goditjen më të thellë në territorin rus që nga fillimi i luftës. Forcat speciale thanë se dronët përshkuan më shumë se 3 mijë kilometra për të arritur objektivat, duke theksuar se kjo zonë konsiderohej më parë si një hapësirë e sigurt në prapavijën ruse.
Nga ana tjetër, autoritetet ruse konfirmuan se një dron ukrainas kishte sulmuar një objekt industrial në Novy Urengoy. Guvernatori i Yamal-Nenets, Dmitry Artyukhov, deklaroi se sulmi u zmbraps, ndërsa mbetjet e dronit shkaktuan një zjarr në një strukturë industriale. Sipas tij, nga ngjarja nuk pati viktima apo të plagosur. Artyukhov u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë të qetë dhe tha se situata ishte nën kontroll.
Sulmet me rreze të gjatë veprimi janë shtuar javët e fundit, me të dyja palët që po godasin objektiva industriale, ushtarake dhe infrastrukturore shumë larg vijës së frontit.
Sulmi në Urale është marrë përsipër nga grupi ukrainas Fire Point, i cili është përfshirë në zhvillimin e mjeteve të përdorura nga Ukraina për sulmet në thellësi të territorit rus.
Sipas ish-këshilltarit të Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës, Serhiy Sternenkos, droni që kreu sulmin përshkoi rreth 3 mijë kilometra nga kufiri ukrainas, duke shënuar një tjetër rekord për sulmet ukrainase në distancë të largët.
Ukraina ka kryer edhe më parë sulme në rajone të largëta të Rusisë. Në fund të korrikut, dronët ukrainas goditën objektiva në zona si Bashkortostani dhe Çuvashia, duke treguar zgjerimin e kapaciteteve të Kievit për të goditur thellë në territorin rus.
