“`html
Shqipëria dhe një firmë amerikane nënshkruajnë memorandum për vlerësimin e ndërtimit të një terminali për LNG
Zhvilluesi amerikan i projekteve të gazit natyror të lëngshëm (LNG), Argent LNG, ka njoftuar se ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me Qeverinë e Shqipërisë për të vlerësuar ndërtimin e një terminali në tokë për ruajtjen dhe rigazifikimin e LNG-së, me një kapacitet deri në 5 milionë tonë në vit.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë konfirmoi për Radio Evropa e Lirë nënshkrimin e memorandumit.
Terminali mund të lidhet me Gazsjellësin Trans-Adriatik (TAP), Gazsjellësin e propozuar Jon-Adriatik (IAP) dhe korridorin e gazit Fier-Vlorë. Terminali i propozuar do të projektohej për të furnizuar tregjet në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore dhe, sipas Argent LNG-së, mund të mbështesë Ukrainën përmes marrëveshjeve rajonale në tregun e gazit.
Kompania nuk ka dhënë detaje për koston, vendndodhjen e propozuar për ndërtim apo afatin kohor për realizimin e terminalit. Megjithatë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka informuar për Radio Evropa e Lirë se terminali do të ndërtohej në Vlorë, në jug të Shqipërisë.
Argent LNG ka sugjeruar se financimi mund të përfshijë Agjencinë Amerikane për Tregti dhe Zhvillim (USTDA), Korporatën Amerikane të Financimit Ndërkombëtar për Zhvillim (DFC) dhe Bankën Amerikane të Eksport-Importit (EXIM Bank).
Në korrik, Departamenti amerikan i Energjisë autorizoi Argent LNG-në të eksportojë LNG nga terminali i saj i propozuar në Port Fourchon, Luiziana, drejt vendeve që kanë marrëveshje të tregtisë së lirë me Shtetet e Bashkuara.
Ky projekt parashikohet të jetë pjesë e një arkitekture më të gjerë rajonale, të hartuar për të forcuar qëndrueshmërinë energjetike të Evropës dhe Ukrainës. Njoftimi vjen në një kohë kur Kosovës i është bërë thirrje vazhdimisht për t’iu bashkuar projektit të furnizimit me LNG nga aleati i saj kryesor. Në korrik, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se vendi po shqyrton mundësinë për të përdorur gaz të lëngëzuar (LNG) nga Shtetet e Bashkuara në të ardhmen.
Marrëveshja dhe qëllimet
Marrëveshja ndërtohet mbi memorandumet e mirëkuptimit të njoftuara më parë nga Argent LNG me Naftogaz Group të Ukrainës (nënshkruar në korrik 2026) dhe Transgaz të Rumanisë (nënshkruar në gusht 2026).
Sipas kompanisë, këto marrëveshje e pozicionojnë Shqipërinë si një pikë hyrëse në Adriatik dhe Ballkanin Perëndimor për një arkitekturë të unifikuar rajonale të furnizimit, të mbështetur nga LNG-ja amerikane.
Shqipëria është shtet anëtar i Nismës së Tre Deteve dhe palët synojnë ta zhvillojnë dhe pozicionojnë terminalin si një projekt kyç i kësaj nisme për sigurinë energjetike.
Palët do të krijojnë një grup të përbashkët pune për të avancuar studimin e fizibilitetit, vlerësimin e vendndodhjes, planifikimin teknik të ndërlidhjeve dhe një strukturë financimi që përfshin mbështetje nga Agjencia Amerikane për Tregti dhe Zhvillim (USTDA), Korporata Financiare Ndërkombëtare për Zhvillim e SHBA-së (DFC) dhe Banka Amerikane e Eksport-Importit (EXIM).
Afati i zhvillimit të terminalit do të harmonizohet me objektivin e Argent LNG për ngarkesën e parë të LNG-së nga Port Fourchon në vitin 2030.
Jonathan Bass, kryetar dhe CEO i Argent LNG, ka theksuar pas nënshkrimit të marrëveshjes se Shqipëria ka mundësinë të shërbejë si një pikë e sigurt furnizimi, e mbështetur nga SHBA-ja, duke forcuar kështu sigurinë energjetike të fqinjëve të saj dhe duke qëndruar përkrah Ukrainës në një kohë kur energjia është përdorur si armë kundër rajonit.
“Jemi krenarë që jemi partnerë me Qeverinë e Shqipërisë në një projekt që pasqyron si lidershipin energjetik amerikan, ashtu edhe rolin e Shqipërisë në avancimin e objektivave të Nismës së Tre Deteve dhe të sigurisë energjetike transatlantike”, ka deklaruar drejtuesi i kompanisë amerikane.
Enea Karakaçi, ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, ka vlerësuar se memorandumi i mirëkuptimit pasqyron angazhimin e Shqipërisë për forcimin e sigurisë energjetike dhe furnizimit në të gjithë rajonin.
“E mirëpresim këtë partneritet dhe e shohim atë si një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit transatlantik në fushën e energjisë dhe në pozicionimin e Shqipërisë si një vend pritës i besueshëm për infrastrukturën kritike energjetike rajonale”, ka thënë Karakaçi.
Kompania amerikane po ndërton një portofol partneritetesh qeveri-me-qeveri dhe tregtare në Evropë, Lindjen e Mesme dhe Afrikën Perëndimore, për të ofruar LNG të sigurt, me origjinë nga SHBA-ja, për vendet aleate dhe partnere.
Ndërkohë, në prill, Shqipëria nënshkroi një marrëveshje në fushën e sigurisë energjetike, me vlerë të deklaruar 6 miliardë dollarë, mes Albgaz dhe dy kompanive ndërkombëtare, një amerikane dhe një greke. Kjo marrëveshje parashikonte zhvillimin e Qendrës Energjetike të Vlorës dhe një marrëveshje kuadër për furnizimin me gaz natyror të lëngshëm. Synimi ishte krijimi i infrastrukturës në Vlorë për importimin e LNG-së nga SHBA-ja dhe rigazifikimin e tij për furnizimin e tregjeve të Evropës Jugore. Në atë kohë, kryeministri Edi Rama theksoi se Vlora synohet të shndërrohet në një pikë kritike energjetike për Evropën Juglindore dhe Shqipëria në një vend ndërlidhës për flukset energjetike rajonale.
“`