Mbikëqyrja Bankare Shqiptare Drejt Ekuivalencës me BE-në

Sejko diskuton me përfaqësuesin e BERZH: Mbikëqyrja e sektorit bankar po afrohet drejt ekuivalencës me BE-në

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi një takim me Francis Malige, Drejtor Menaxhues për Institucionet Financiare në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), gjatë vizitës së këtij të fundit në Shqipëri. Në takim morën pjesë gjithashtu Grzegorz Zielinski, Drejtor Menaxhues i BERZH-it për Evropën Juglindore, Ekaterina Solovova, Drejtuese e BERZH-it për Malin e Zi, dhe Hannes Takacs, Drejtues i Zyrës së BERZH-it në Shqipëri.

Takimi u zhvillua pas prezantimit në Shqipëri të nismës “We Finance Code”, e cila u organizua në bashkëpunim mes Bankës së Shqipërisë dhe BERZH-it. Të pranishmit vlerësuan pozitivisht organizimin e këtij aktiviteti dhe angazhimin e institucioneve financiare shqiptare në këtë nismë, e cila ka si synim nxitjen e aksesit në financim dhe mbështetjen për sipërmarrjet e drejtuara nga gratë.

Guvernatori Sejko theksoi rëndësinë e kthimit të angazhimeve të marra në kuadër të “We Finance Code” në masa dhe rezultate konkrete, duke forcuar më tej përfshirjen financiare dhe mundësitë për zhvillimin e sipërmarrjeve të grave në Shqipëri.

Gjatë takimit, u diskutuan zhvillimet më të fundit në sektorin bankar shqiptar, bashkëpunimi mes Bankës së Shqipërisë dhe BERZH-it, si dhe roli i sistemit financiar në mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe të procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Një ndër temat kryesore të diskutimit ishte procesi i ekuivalencës së kuadrit rregullator dhe mbikëqyrës bankar shqiptar me atë të Bashkimit Evropian. Guvernatori Sejko nënvizoi progresin e bërë ndër vite për përafrimin e kuadrit rregullator dhe praktikave mbikëqyrëse me standardet evropiane, duke e cilësuar këtë si një element të rëndësishëm për forcimin e mëtejshëm të sektorit bankar dhe integrimin financiar të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

Më tej, u diskutua mbi ecurinë pozitive të kreditimit të ekonomisë, me fokus të veçantë në financimin e sektorit privat. Guvernatori Sejko vlerësoi se sistemi bankar shqiptar vijon të jetë i mirëkapitalizuar, likuid dhe i qëndrueshëm, duke krijuar premisa për vijimin e mbështetjes së rritjes ekonomike përmes kreditimit. Ai theksoi rëndësinë që zgjerimi i kreditimit të vijojë në mënyrë të kujdesshme dhe të shëndetshme, duke ruajtur cilësinë e portofolit të kredisë dhe standardet e duhura të administrimit të rrezikut.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua programit të Bankës së Shqipërisë për financimin e bizneseve mikro dhe të vogla, i cili synon të lehtësojë aksesin e tyre në financim dhe të mbështesë investimet dhe zhvillimin e aktivitetit të tyre. Përfaqësuesit e BERZH-it e vlerësuan pozitivisht këtë program dhe objektivat e tij, duke shprehur gatishmërinë për të mbështetur Bankën e Shqipërisë në këtë iniciativë dhe për të shqyrtuar mundësitë konkrete të bashkëpunimit në zbatimin e tij.

Palët diskutuan gjithashtu mbi mbështetjen për Agjencinë e Sigurimit të Depozitave (ASD) dhe rëndësinë e forcimit të vazhdueshëm të mekanizmave të sigurisë financiare. Në këtë kuadër, u vlerësua bashkëpunimi dhe asistenca e BERZH-it për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përafrimin me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe evropiane.

Duke u ndalur te perspektiva evropiane e Shqipërisë, Guvernatori Sejko nënvizoi se integrimi në Bashkimin Evropian mbetet një orientim strategjik edhe për zhvillimin e sektorit financiar, duke kërkuar vijimin e reformave, harmonizimin e kuadrit rregullator dhe rritjen e standardeve të funksionimit të tregut financiar.

Nga ana e tij, z. Malige vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me Bankën e Shqipërisë dhe progresin e sektorit bankar shqiptar, duke shprehur gatishmërinë e BERZH-it për të vijuar mbështetjen e reformave dhe iniciativave që kontribuojnë në zhvillimin e sektorit financiar dhe në financimin e ekonomisë reale.

Në përfundim, Guvernatori Sejko dhe z. Malige riafirmuan angazhimin për vijimin dhe thellimin e bashkëpunimit mes Bankës së Shqipërisë dhe BERZH-it, veçanërisht në fushat që lidhen me integrimin financiar evropian, forcimin e stabilitetit financiar dhe përmirësimin e aksesit në financim për bizneset shqiptare.

Scroll to Top