Biznesi kundër projektligjit për anëtarësimin e detyrueshëm në Dhomën Kombëtare
Organizatat e komunitetit të biznesit në Shqipëri kanë shprehur sërish kundërshtimin e tyre ndaj draftit të qeverisë për versionin e ri të Projektligjit “Për Dhomën Ekonomike Kombëtare”. Sipas tyre, pavarësisht rishikimit të draftit dhe ndryshimeve të bëra, shqetësimet kryesore të komunitetit të biznesit mbeten aktuale.
Në veçanti, organizatat theksojnë nevojën për adresimin e çështjeve thelbësore lidhur me:
- Modelin e anëtarësimit të detyrueshëm.
- Përmbajtjen dhe vlerën konkrete të shërbimeve që do t’u ofrohen bizneseve.
- Nevojën për një analizë të plotë dhe të argumentuar që justifikon domosdoshmërinë dhe proporcionalitetin e reformës së propozuar.
Ky qëndrim është publikuar nga 17 dhoma biznesi, shumica e të cilave përfaqësojnë interesat e investitorëve të huaj.
Qeveria ka disa vite që tenton të miratojë një projektligj për anëtarësimin me detyrim në Dhomën Ekonomike Kombëtare. Pas një tërheqjeje të përkohshme për shkak të ankesave të bizneseve, drafti është rikthyer sërish.
Në variantin e fundit, projektligji parashikon që çdo subjekt tregtar aktiv në Regjistrin Tregtar, në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit, të bëhet anëtar i Dhomës automatikisht (“ipso lege”). E njëjta gjë vlen edhe për subjektet e reja. Anëtarësimi shoqërohet me një tarifë vjetore, e cila do të bëhet e detyrueshme pas periudhës tranzitore. Tarifa do të jetë 1,000 lekë në vit për subjektet që nuk janë tatimpaguese të tatimit mbi fitimin. Për bizneset e tjera, tarifa do të përcaktohet nga Asambleja e Përgjithshme e Dhomës, në varësi të formës ligjore, madhësisë, numrit të punonjësve dhe xhiros vjetore, por jo më shumë se 70 mijë lekë në vit.
ARGUMENTET E 17 DHOMAVE
Anëtarësimi i detyrueshëm dhe liria e sipërmarrjes dhe organizimit
Projektligji vijon të parashikojë anëtarësimin automatik të çdo subjekti tregtar aktiv në Regjistrin Tregtar në Dhomën Ekonomike Kombëtare. Përjashtimet e parashikuara janë kryesisht për kategori subjektesh që i nënshtrohen detyrimit për regjistrim apo anëtarësim në dhoma apo organizata profesionale të krijuara me ligj të posaçëm. Megjithatë, ky parim nuk ndryshon thelbin e sistemit të propozuar: anëtarësimin e detyrueshëm.
Organizatat vlerësojnë se ky model duhet të rishikohet nga këndvështrimi i lirisë së veprimtarisë ekonomike dhe lirisë së organizimit. Përfaqësimi i biznesit funksionon më mirë kur bazohet në besimin, zgjedhjen dhe vlerën që organizata ofron anëtarëve. Çdo biznes duhet të ketë lirinë të vendosë nëse dëshiron të anëtarësohet dhe në cilën organizatë, bazuar në interesat dhe nevojat e tij.
Ekzistenca e organizatave vullnetare të biznesit, si dhomat bilaterale, shoqatat sektoriale dhe organizatat e investitorëve, përbën një pjesë të pluralizmit të përfaqësimit. Këto organizata, të krijuara mbi bazën e anëtarësimit vullnetar, marrin legjitimitetin e tyre nga zgjedhja e anëtarëve. Krijimi me ligj i një strukture kombëtare me anëtarësi automatike nuk duhet të zëvendësojë, dobësojë apo kushtëzojë rolin e tyre, të cenojë autonominë apo të kufizojë krijimin e organizatave të reja vullnetare.
Anëtarësimi i parashikuar me ligj nuk duhet t’i japë Dhomës Ekonomike Kombëtare një monopol apo status të privilegjuar në përfaqësimin e sipërmarrjes dhe dialogun me institucionet. Shteti mund të krijojë një institucion dhe t’i delegojë atij funksione publike, por mandatin për të përfaqësuar biznesin mund ta japë vetëm vetë biznesi.
Shërbimet ndaj anëtarëve dhe raporti ndërmjet detyrimit financiar dhe përfitimit konkret
Edicioni i rishikuar i projektligjit përfshin një gamë më të gjerë funksionesh dhe shërbimesh për Dhomën Ekonomike Kombëtare, si këshillim biznesi, trajnime, analiza, mbështetje për regjistrime, certifikata origjine, Carnet ATA/TIR, mbështetje për integrimin evropian, promovim eksportesh dhe investimesh, si dhe funksione të tjera publike të deleguara.
Megjithatë, përcaktimi i shërbimeve dhe kundërvlerës së tarifës nuk zgjidh çështjen parimore të anëtarësimit të detyrueshëm. Një detyrim financiar nuk duhet të shërbejë si mekanizëm për financimin e detyrueshëm të një strukture përfaqësuese që biznesi nuk ka zgjedhur. Kjo bëhet më e rëndësishme pasi projektligji lidh tarifën vjetore me përfitimin e shërbimeve dhe funksioneve publike të deleguara.
Për të garantuar proporcionalitet, transparencë dhe një marrëdhënie reale vlerë-për-kontribut, ligji duhet të përcaktojë qartë:
- Cilat shërbime bazë përfshihen në tarifën vjetore dhe u garantohen të gjithë anëtarëve.
- Për secilin shërbim, natyrën, kategorinë e përfituesve, nëse përfshihet në tarifë, standardin minimal të ofrimit dhe mënyrën e aksesimit.
Sugjerohet gjithashtu qartësimi i raportit ndërmjet tarifës vjetore, tarifave për shërbime specifike dhe financimit publik për funksionet e deleguara, për të rritur transparencën dhe parashikueshmërinë. Për qartësi juridike, duhet të sqarohet raporti ndërmjet anëtarësimit “ipso lege” dhe regjistrimit pranë DHEK, si dhe natyra e “tarifës vjetore të regjistrimit”.
Meqenëse mospagimi i tarifës parashikohet si kundërvajtje administrative, regjimi i përgjegjësisë dhe sanksionit duhet të përcaktohet qartë në kuadër ligjor. Përndryshe, tarifa mund të perceptohet si detyrim formal dhe jo si kundërvlerë për shërbime të identifikueshme, duke dobësuar legjitimitetin dhe funksionalitetin e strukturës.
Nevoja për një analizë të plotë të sistemit ekzistues dhe reformë të bazuar në evidencë
Relacioni shpjegues i versionit të ripunuar identifikon si problematika “fragmentarizimin e sistemit ekzistues të dhomave”, mungesën e një strukture koordinuese kombëtare dhe nevojën për rritjen e kapaciteteve institucionale.
Një ndryshim kaq rrënjësor nuk duhet të mbështetet mbi prezumimin se sistemi ekzistues është i papërshtatshëm. Nevoja për ndërhyrje duhet të provohet mbi bazën e të dhënave, nevojave reale të biznesit dhe alternativave të analizuara.
Për të garantuar proporcionalitetin, transparencën dhe marrëdhënien reale kontribut-vlerë, ligji duhet të përcaktojë qartë:
- Cilat shërbime bazë përfshihen në tarifën vjetore.
- Cilat shërbime u garantohen bizneseve dhe cilat kërkohen sipas zgjedhjes së tyre.
Parashikimi i një shërbimi nuk mund të justifikojë detyrimin e çdo biznesi për ta marrë dhe financuar atë, pavarësisht nëse ka nevojë apo jo.
Është e domosdoshme kryerja dhe publikimi i një analize të plotë të sistemit aktual të dhomave, e cila të vlerësojë:
- Performancën dhe shërbimet e strukturave ekzistuese.
- Nivinin e përdorimit nga bizneset.
- Problematikat konkrete dhe shkaqet e tyre.
- Neformat reale të sipërmarrjeve sipas madhësisë, sektorit dhe rajonit.
Analiza duhet të shqyrtojë gjithashtu alternativat e mundshme, përfshirë përmirësimin e modelit ekzistues pa anëtarësim të detyrueshëm, kostot e sistemit të ri, burimet e financimit, raportin kosto-përfitim dhe ndikimin mbi organizatat vullnetare.
Në mungesë të një analize të tillë, nuk mund të pranohet si e mirëqenë se “fragmentarizimi” kërkon domosdoshmërisht centralizim, anëtarësim dhe financim të detyrueshëm. Duhet të provohet se objektivat e synuara nuk mund të arrihen përmes masave më pak kufizuese.
Vlerësimi financiar duhet të pasqyrojë të gjithë periudhën e mbështetjes buxhetore. Relacioni përmend një kosto paraprake prej rreth 15.4 milionë lekësh për një vit, ndërsa projektligji parashikon mbështetje nga buxheti deri në dy vjet. Para se financimi t’i kalojë biznesit, duhet të jetë e qartë se sa kushton realisht sistemi i ri, çfarë do të financojë biznesi dhe çfarë vlere do të marrë në këmbim.
Koherenca me procesin e integrimit evropian dhe nevoja për një justifikim më të fortë
Shqipëria është në fazën intensive të integrimit në Bashkimin Evropian, duke kryer reforma ligjore dhe institucionale.
Relacioni shpjegues sqaron se ky projektligj nuk synon përafrimin të drejtpërdrejtë me acquis communautaire dhe nuk përbën masë transpozimi. Megjithatë, për shkak se ndryshimi nuk buron nga një detyrim specifik dhe sjell një riorganizim të thellë të përfaqësimit të biznesit, nevoja për një justifikim të plotë dhe të bazuar në evidencë bëhet edhe më e rëndësishme.
Relacioni duhet të shpjegojë më qartë:
- Cilët objektiva konkretë të procesit të integrimit dhe zhvillimit të ekonomisë së tregut mbështet modeli.
- Pse këto objektiva kërkojnë pikërisht një ent publik me anëtarësim “ipso lege”.
- Çfarë modelesh alternative janë shqyrtuar.
- Si është vlerësuar proporcionaliteti i ndërhyrjes në raport me liritë e sipërmarrjes dhe organizimit.
Një referim i përgjithshëm ndaj parimeve të ekonomisë së tregut, dialogut institucional dhe integrimit evropian nuk duhet të zëvendësojë analizën konkrete që legjitimon zgjedhjen e modelit institucional.
Shmangia e paralelizmit institucional dhe përcaktimi i qartë i funksioneve publike të deleguara
Një çështje tjetër me rëndësi është përcaktimi i qartë i kufijve ndërmjet funksioneve dhe shërbimeve të Dhomës Ekonomike Kombëtare dhe kompetencave të institucioneve publike ekzistuese.
Projektligji i ngarkon Dhomës funksione dhe shërbime publike të deleguara dhe parashikon bashkëveprimin me Qendrën Kombëtare të Biznesit. Është e rëndësishme që ndarja e kompetencave të jetë e qartë për të shmangur mbivendosjet, procedurat paralele apo barrët administrative shtesë.
Për çdo funksion të deleguar, duhet të jenë të qarta:
- Baza ligjore.
- Ndarja e përgjegjësive.
- Institucioni përgjegjës përfundimtar.
- Standardi i shërbimit.
- Mekanizmi i ankimimit.
- Mënyra e financimit.
Delegimi i funksioneve publike duhet të synojë thjeshtimin e marrëdhënies së biznesit me administratën, jo krijimin e një niveli të ri ndërmjetësimi.
Sugjerohet qartësimi i mëtejshëm i ndarjes së roleve ndërmjet DHEK dhe Qendrës Kombëtare të Biznesit për proceset që lidhen me regjistrimin, klasifikimin dhe administrimin e të dhënave të biznesit, duke përcaktuar institucionin vendimmarrës dhe përgjegjësinë përfundimtare.
Për sigurinë juridike, duhet të harmonizohet neni 8 (mundësia e delegimit me marrëveshje) me nenin 9 (delegimi me ligj). Për funksionet që përfshijnë autoritet publik, baza, kufijtë dhe përgjegjësitë duhet të rezultojnë qartë nga kuadri ligjor.
Gjithashtu, do të ishte e dobishme të diferencoheshin qartë funksionet përfaqësuese dhe vetërregulluese të DHEK nga funksionet administrative publike të deleguara, duke përfshirë regjimin e mbikëqyrjes, përgjegjësisë dhe financimit për secilën kategori.
Lidhur me periudhën tranzitore, kufizimet mbi veprimtarinë e dhomave ekzistuese dhe rastet që kërkojnë miratim paraprak duhet të zbatohen vetëm në masën e nevojshme për administrimin e tranzicionit, pa penguar ushtrimin normal të veprimtarisë së tyre.
Përfundime dhe rekomandime
Organizatat e komunitetit të biznesit, duke njohur ndryshimet dhe përmirësimet e bëra, vlerësojnë se çështjet themelore të ngritura nuk janë zgjidhur plotësisht. Modeli i anëtarësimit të detyrueshëm mbetet elementi kryesor që kërkon rishikim.
Rekomandohet që procesi i konsultimit të përdoret për të rivlerësuar modelin në tërësi, për të garantuar:
- Lirinë reale të bizneseve për të zgjedhur mënyrën dhe organizatën përfaqësuese.
- Mbrojtjen e autonomisë dhe pluralizmit të organizatave vullnetare.
- Një listë konkrete dhe të garantuar të shërbimeve bazë të financuara nga tarifa vjetore.
- Një analizë të plotë dhe të publikuar të sistemit aktual, alternativave të reformës dhe ndikimit ekonomik e institucional.
- Argumentim më të qartë të koherencës së reformës me integrimin evropian dhe parimet e ekonomisë së tregut.
- Ndarje të qartë të funksioneve të deleguara dhe shmangien e mbivendosjeve me institucionet publike.
Konsultimi me komunitetin e biznesit duhet të shërbejë për të përcaktuar modelin e reformës, jo vetëm për të përmirësuar teknikisht një model të paracaktuar. Organizatat mbeten të angazhuara për një dialog konstruktiv dhe në dispozicion për të kontribuar në përmirësimin e projektligjit.
Organizatat nënshkruese të qëndrimit të përbashkët:
- Dhoma Amerikane e Tregtisë (AMCHAM)
- Dhoma Gjermane e Tregtisë në Shqipëri (DIHA)
- Dhoma e Tregtisë Italiane në Shqipëri (CCIA)
- Dhoma Britanike e Tregtisë në Shqipëri (BCCA)
- Dhoma e Tregtisë Zvicër-Shqipëri (SWISSA)
- Confindustria Albania – Shoqata e Industrialistëve Italianë në Shqipëri
- Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA)
- Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB)
- Shoqata e Biznesit Grek në Shqipëri (HBAA)
- Shoqata Shqiptare e Energjive të Rinovueshme (AREA)
- Shoqata “Bashkimi Tregtar i Shqipërisë” (BTSH)
- Shoqata Shqiptare e Teknologjisë së Informacionit (AITA)
- Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë
- Shoqata e Siguruesve të Jetës, Pensioneve dhe Fondeve të Investimit (SH.SJ.P.FI)
- Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri – Japoni (AJCCI)
- Shoqata Shqiptare e Tregtisë Elektronike (AECA)
- Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Francë-Shqipëri (CCIFA)
