Diaverum fiton tenderin për dializën, konsolidon kontrollin mbi DiaVita

Diaverum fiton tenderin për dializën dhe konsolidon kontrollin mbi DiaVita

Kompania Diaverum AB është shpallur fituese e tenderit për ofrimin e shërbimit të hemodializës në pesë spitale rajonale. Ofertë fituese e grupit suedez arrin në 4.44 miliardë lekë (pa TVSH) për një periudhë katërvjeçare. Diaverum AB ishte ofertuesi i vetëm në këtë procedurë tenderuese.

Interesant është fakti se fituesi i ri lidhet drejtpërdrejt edhe me kompaninë që ka ofruar aktualisht këtë shërbim përmes një koncesioni, të njohur si Partneritet Publik Privat (PPP). Diaverum International AB është pronare e DiaVita sh.p.k., shoqëria koncesionare e themeluar për zbatimin e kontratës së hemodializës në spitalet e Shkodrës, Lezhës, Korçës, Vlorës dhe Elbasanit.

Të dhënat nga Qendra Kombëtare të Regjistrimit (QKB) tregojnë se Diaverum International AB është shoqëria mëmë dhe zotëron DiaVita-n. Fillimisht, DiaVita ishte krijuar nga bashkimi i shoqërive Evita sh.p.k. dhe Spitali Amerikan, të cilat fituan tenderin e Ministrisë së Shëndetësisë për ofrimin e shërbimit të hemodializës sipas modelit PPP. Kontrata origjinale u nënshkrua në shkurt 2016 dhe kishte një afat dhjetëvjeçar.

Situata ndryshoi në vitin 2019, kur Diaverum International AB bleu 100% të kapitalit të DiaVita-s, duke përfituar 85% të aksioneve nga Evita dhe 15% nga American Hospital. Ky transaksion solli kalimin e plotë të shoqërisë koncesionare nën kontrollin e grupit suedez.

Për rrjedhojë, edhe pse forma e kontraktimit ndryshon nga PPP-ja e mëparshme në këtë tender të ri shërbimi, shërbimi i hemodializës do të vijojë të ofrohet nga një kompani e lidhur me grupin që kontrollonte edhe koncesionarin ekzistues, DiaVita.

Ky tender u zhvillua nga Operatori i Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit dhe përfshin shërbimin e hemodializës në qendrat e ngritura pranë spitaleve të Shkodrës, Lezhës, Korçës, Vlorës dhe Elbasanit. Marrëveshja kuadër parashikohet të zgjasë 48 muaj.

Fondi limit i shpallur për këtë procedurë ishte 4.59 miliardë lekë, ndërsa oferta e paraqitur nga Diaverum AB ishte 4,440,664,800 lekësh pa TVSH. Fituesi u shpall më 10 shtator 2026.

Në këtë procedurë nuk pati operatorë të skualifikuar, pasi Diaverum ishte i vetmi ofertues. Procedura u shpall më 17 gusht dhe ofertat u pranuan deri më 1 shtator. Autoriteti kontraktor argumentoi shkurtimin e afatit për dorëzimin e ofertave në 15 ditë me nevojën për të garantuar vazhdimësinë e shërbimit të hemodializës pas përfundimit të kontratës ekzistuese.

Scroll to Top