“`html
Nafta për transportin publik, Ibrahimaj: Do të subvencionohet periudha e pambuluar
Pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë ditën e sotme, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, njoftoi se do të vijojë kompensimi i naftës për transportin publik. Ky vendim është marrë në konsultim edhe me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjetikës.
“Ne kemi diskutuar gjerësisht çështjen e rritjes së çmimit të naftës dhe kemi marrë vendim që do të vazhdojmë subvencionimin për naftën për transportin publik për një periudhë të pambuluar. Jemi duke u kujdesur për çmimet e naftës dhe, siç kemi thënë edhe më parë, do të hartojmë një pasqyrë të çmimeve me bazë javore për të nxitur konkurrencën dhe për të orientuar qytetarët. Bordi i Transparencës është një mekanizëm i krijuar për një periudhë afatshkurtër”, pohoi ministrja Ibrahimaj.
Pak ditë më parë, operatorët e transportit publik zhvilluan një takim me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjetikës, ku u dakordësua për vijimin e periudhës së kompensimit me vlerë 50 lekë për litër edhe për 4 muaj shtesë.
Që prej muajit maj, shoqatat e transportit publik vijojnë të përsërisin shqetësimin për mospërballimin e kostove nga shtrenjtimi i çmimit të naftës dhe për kohëzgjatjen e periudhës për të përfituar 50 lekë për litër kompensim për naftën. Sipas operatorëve, vijimi i kompensimit për 4 muajt e ardhshëm, për periudhën qershor-korrik-gusht dhe shtator, do të mbështeste dhe do të garantonte qëndrueshmërinë e transportit publik dhe të shërbimit.
Për shkak të shtrenjtimit të çmimit të naftës, operatorët përfituan subvencionim të naftës 50 lekë për litër për periudhën mars-maj.
“`
