Rritet sërish emigrimi; Vetëm në 2025-n, BE dha 69 mijë leje të reja qëndrimi për shqiptarët
Tendenca e emigracionit është përshpejtuar sërish vitin e fundit. Të dhëna indirekte nga Eurostat tregojnë se vendet e Bashkimit Europian kanë dhënë një numër të shtuar leje qëndrimi për shtetasit shqiptarë.
Sipas të dhënave të detajuara, në vitin 2025 u dhanë 68,653 leje qëndrimi për herë të parë për shtetasit shqiptarë. Kjo shënon një rritje prej 4% krahasuar me vitin 2024. Kjo tendencë është e kundërt me vitin 2024, kur numri i lejeve ra me 14%.
Vitet me numrin më të lartë të lejeve të dhëna vijojnë të jenë 2022 dhe 2023, me përkatësisht 79 mijë dhe 77 mijë leje.
Eurostat raporton se ritmet e emigracionit janë përshpejtuar që pas vitit 2015, periudhë kjo që përkon me valën e re të kërkesave për azil, të cilat në atë kohë arritën deri në 60 mijë në vit. Pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë kanë arritur të marrin leje qëndrimi në një shtet të BE-së. Një rënie e fortë u shënua vetëm në vitin 2020, për shkak të kufizimeve të pandemisë.
Megjithëse kërkesat për azil kanë rënë ndjeshëm vitet e fundit, duke u ulur në rreth 15 mijë në vit, rritja e lejeve të qëndrimit tregon se shqiptarët kanë gjetur forma të reja për t’u larguar, kryesisht përmes kontratave të punës.
Në vitin 2025, sipas Eurostat:
- 46.3% e lejeve u dhanë për arsye familjare.
- 0.8% për arsye edukimi.
- 29.4% për arsye punësimi.
Ritmet e larta të emigrimit dhe rënia e lindjeve kanë sjellë një reduktim të vazhdueshëm të popullsisë së vendit. Kjo situatë përbën një pengesë reale për tregun e punës, konsumin dhe skemat e pensioneve.
Më 1 janar 2026, sipas INSTAT, popullsia e Shqipërisë zbriti në 2,335,930 banorë, duke shënuar një rënie prej 1,16% krahasuar me 1 janar 2025.
Nga ana tjetër, Eurostat raporton se stoku i lejeve të dhëna për shtetasit shqiptarë nga BE arrin në 875.1 mijë. Ky numër e rendit Shqipërinë, pavarësisht popullsisë së saj të vogël në Europë, në listën e 10 vendeve që kanë marrë më shumë leje. Ajo renditet pas vendeve si Maroku (2.2 milionë), Turqia (2.0 milionë), Ukraina (1.7 milionë), Kina (përfshirë Hong Kongun) (1.2 milionë), Siria (1.1 milionë), India (1.0 milionë), Mbretëria e Bashkuar (919,297) dhe Rusia (876,625). Këto vende kanë popullsi që variojnë nga 24.7 milionë (Siria) deri në 1.45 miliardë banorë (India).
Lejet e para të qëndrimit në BE u rritën me 10% në vitin 2025
Në vitin 2025, vendet e Bashkimit Europian lëshuan gjithsej 3.9 milionë leje të para qëndrimi për shtetas të vendeve jashtë BE-së. Kjo shënon një rritje prej 10.1% (ose 355,350 leje) krahasuar me vitin 2024.
Punësimi ishte arsyeja kryesore për dhënien e këtyre lejeve, duke përbërë rreth një të tretën e totalit, me 1.3 milionë leje ose 33.6%.
Arsyet familjare renditeshin të dytat, me 1.1 milionë leje ose 28.1%, të ndjekura nga arsye të tjera, përfshirë mbrojtjen ndërkombëtare, me 0.9 milionë leje ose 22.8%.
Pjesa e mbetur e lejeve të para të qëndrimit u lëshua për arsye që lidhen me arsimin, me 0.6 milionë leje ose 15.5%.
Krahasuar me vitin 2024:
- Lejet e para të qëndrimit për arsye punësimi u rritën me 16.1%.
- Ato për arsye familjare u rritën me 14.1%.
- Lejet për arsye arsimimi u shtuan me 9.0%.
Kategoria e vetme që regjistroi rënie ishte ajo e arsyeve të tjera, përfshirë mbrojtjen ndërkombëtare, ku numri i lejeve të para të qëndrimit ra me 0.9%.
Në vitin 2025, shtetasit e Ukrainës morën numrin më të lartë të lejeve të para të qëndrimit, me 335,100 të tilla. Pas tyre renditeshin shtetasit e Indisë me 227,600 leje dhe ata të Marokut me 202,100.
Në fund të vitit 2025, në Bashkimin Europian rezultonin gjithsej 27.8 milionë leje qëndrimi të vlefshme për shtetas të vendeve jashtë BE-së.
Bashkimi familjar ishte arsyeja kryesore për pajisjen me leje qëndrimi, duke përbërë 32.4% të totalit.
Shtetasit marokenë mbanin numrin më të lartë të lejeve të vlefshme të qëndrimit në fund të vitit 2025, me 2.2 milionë, të ndjekur nga shtetasit turq me 2.0 milionë dhe ata ukrainas me 1.7 milionë.
