Interneti celular në Shqipëri: Rritje e fortë, 5G po përhapet

Përdorimi i internetit nga rrjetet celulare, rritje e fortë edhe në tremujorin e dytë

Përdorimi i internetit nga rrjetet celulare u rrit përsëri dukshëm në tremujorin e dytë të këtij viti, duke u bërë gjithnjë e më dominues në mënyrën se si shqiptarët po e përdorin aparatin celular.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), trafiku total i internetit nga rrjetet celulare u rrit me 24.6% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit të kaluar. Ndërkohë, konsumi mesatar i internetit për çdo përdorues arriti në 12.27 GB (gigabyte) në muaj, në rritje me 24.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Përveç përdorimit të internetit për qëllime informimi, pune apo zbavitjeje, edhe thirrjet dhe mesazhet e shkruara po përcillen më shumë nëpërmjet aplikacioneve si WhatsApp, duke ulur gradualisht përdorimin e shërbimeve tradicionale. Kjo po bën që kapacitetet transmetuese të internetit të jenë gjithnjë e më të rëndësishme në ofrimin e shërbimeve celulare.

Teknologjia e re 5G po sjell shpejtësi më të lartë interneti, duke lehtësuar përdorimin për përmbajtje multimediale dhe duke ndikuar në rritjen e trafikut nga rrjetet celulare. Mbështetur në të dhënat e raportit vjetor të AKEP për vitin 2025, operatorët celularë raportonin një mbulim me shërbim interneti 5G deri në masën 70% të popullsisë. Ndërkohë, mbulimi i territorit të vendit me sinjal 5G, sipas operatorëve, arrin deri në 36%.

Sipas përcaktimeve në kushtet e autorizimit individual që morën në fund të vitit 2024, operatorët celularë duhet të mbulojnë me shërbim 5G 55% të popullsisë brenda vitit 2027 dhe 85% të popullsisë brenda vitit 2030. Megjithatë, mbulimi me sinjal i porteve, aeroporteve, zonës industriale Tiranë – Durrës, qendrave spitalore të Tiranës duhej bërë deri në fund të vitit 2025, ndërsa për mbulimin me shërbim 5G të të gjitha qyteteve të Shqipërisë afati është fundi i vitit 2028.

Duhet thënë, megjithatë, se të dhënat për mbulimin e popullsisë dhe territorit me shërbime 5G mbështeten në raportimet e operatorëve dhe nuk janë të verifikuara apo të mbështetura në monitorime shteruese nga AKEP.

Shifrat e konsumit të shërbimeve celulare vazhdojnë të tregojnë një tendencë afatgjatë të përqendrimit të këtyre shërbimeve tek interneti, duke dëshmuar rëndësinë në rritje për shtrirjen dhe përmirësimin e rrjeteve broadband, veçanërisht të atyre të teknologjisë 5G.

Ndërkohë, përdorimi i shërbimeve të tjera të komunikimit përsëri pësoi rënie në tremujorin e dytë. Trafiku i thirrjeve dalëse u ul me 7.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Numri i mesazheve të shkruara pësoi rënie vjetore me 16.4%. Çdo abonent e përdori mesatarisht celularin për 132 minuta thirrje në muaj, 7.8% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa, numri mesatar i mesazheve të shkruara ishte 11 për përdorues në muaj, me një rënie prej 16.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Numri i përdoruesve të shërbimeve celulare (që në fakt matet si numër i kartave SIM ose i numrave celularë aktivë) shënoi një rritje shumë të vogël në tremujorin e dytë të vitit, me 0.2% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Scroll to Top