Rama për Metën: “Vuante thellë nga dyshimi…”

Nga bashkudhëtarë në kundërshtarë, Rama për Metën: Vuante thellë nga dyshimi…

Kryeministri Edi Rama ka folur rreth marrëdhënieve me njerëz të ndryshëm gjatë viteve të tij të gjata në politikë, duke theksuar veçanërisht një ish-bashkëpunëtor të tij, Ilir Metën.

Në një intervistë për gazetaren Rudina Xhunga në podkastin “Flasim”, Rama u shpreh se besimi tek njerëzit është një nga dobësitë e tij, pasi nuk është personi që ka prirje t’i kontrollojë të tjerët.

Kryeministri përmendi se ka njohur njerëz shumë dyshues. “Kam pasur në mënyrë të veçantë një, bashkëudhëtar për një kohë të caktuar rruge, ishte dhe është njeri, por tashmë jo bashkëudhëtar,” deklaroi Rama.

Kur gazetarja Rudina Xhunga e pyeti nëse bëhej fjalë për Ilir Metën, Rama nuk e mohoi, por zgjodhi të mos e përmendte emrin. “Nuk ka rëndësi emri, vuante thellë nga dyshimi,” tha Rama, duke shtuar se sipas tij, të jetosh duke dyshuar tek të tjerët ka një kosto të madhe.

Megjithatë, kryeministri pranoi se në pozicione me përgjegjësi, besimi i tepërt mund të kthehet në problem. “Nganjëherë them që duhet, sidomos në pozicione që ke përgjegjësi, besimi i tepërt kthehet në një kosto që mund ta paguajnë edhe të tjerët,” u shpreh ai.

Rama sqaroi më tej forcën e besimit tek njerëzit, duke e lidhur atë me mësimet e gjyshes së tij katolike. “Për fat të mirë nga disa drejtime dhe për fat të keq, unë e kam dobësinë time, unë nuk jam një njeri që nxitohem ta kontrolloj. Kam punuar me tre drejtorë të shërbimit sekret shqiptar. Unë besoj shumë tek njerëzit, jam rritur me frymën që ma ka injektuar fillimisht gjyshja ime. Ishte njeriu që kisha shumë afër kur isha i vogël, ajo ishte katolike, praktikante dhe në atë kohë kur feja ishte e ndaluar. Unë te besimi e kam shumë të theksuar, te kontrolli e kam përgjithësisht dobësi,” tha ai.

Për sa i përket pyetjes së Rudina Xhungës për Ilir Metën, Rama ripërsëriti: “Nuk ka rëndësi emri, vuante thellë nga dyshimi. Gjithmonë kam besuar se të dyshosh tek të tjerët dhe të jetosh me dyshime ka një kosto të madhe. Por nganjëherë them që duhet, sidomos në pozicione që ke përgjegjësi besimi i tepërt kthehet në një kosto që mund ta paguajnë edhe të tjerët.”

Scroll to Top