Krahu Robotik “Përkthen” Mësuesin në Gjuhën e Shenjave: Inovacioni Kenian Ndihmon Nxënësit e Shurdhër
Një sipërmarrëse 22-vjeçare në Kenia ka zhvilluar një teknologji robotike inovative që mund të shndërrojë të folurën e një mësuesi në gjuhën e shenjave. Kjo krijon mundësi të reja edukative për nxënësit e shurdhër dhe ata me dëgjim të dobët, duke synuar lehtësimin e përfshirjes së tyre në procesin mësimor, veçanërisht në lëndë si matematika dhe shkencat.
Në Kenia jetojnë rreth 300 mijë fëmijë me dëmtim të dëgjimit, por vetëm një numër i vogël i tyre ndjekin mësimin në shkolla. Një sfidë kryesore në arsimin e tyre lidhet me mungesën e një gjuhe standarde të shenjave, gjë që vështirëson komunikimin mes mësuesve dhe nxënësve.
Projekti është ideuar nga Norah Kimathi, themeluese e kompanisë ZeroBionic. Objektivi i saj kryesor është që nxënësit të mund të ndjekin mësimin edhe në situata ku mësuesi nuk njeh gjuhën e shenjave.
Krahu robotik prodhohet me anë të teknologjisë së printimit 3D, duke përdorur materiale plastike të ricikluara. Pajisja kushton rreth 350 dollarë dhe, sipas kompanisë, mund të funksionojë për rreth tre vjet pa nevojë për mirëmbajtje. Deri më tani, janë shitur 78 njësi.
Sipas Kimathit, sistemi arrin një saktësi prej 92% në shndërrimin e gjuhës së folur në gjuhën e shenjave. Megjithatë, sfida për zhvilluesit nuk ishte vetëm krijimi i mekanizmit robotik, por edhe mungesa e një baze të dhënash gjithëpërfshirëse për gjuhën afrikane dhe atë keniane të shenjave.
Për të adresuar këtë problem, ZeroBionic ka bashkëpunuar me edukatorë të shurdhër dhe persona me eksperiencë në gjuhën e shenjave. Lëvizjet e tyre u regjistruan duke përdorur një kostum të veçantë të pajisur me elektroda, duke krijuar kështu të dhënat e nevojshme për trajnimin e sistemit.
“Askush tjetër nuk e kishte ndërtuar këtë në kontinent, ne filluam nga e para”, ka thënë Kimathi nga laboratori i saj në Nairobi. Ajo thekson se përpjekjet kanë qenë të vlefshme, pasi teknologjia synon t’u ofrojë fëmijëve me dëmtim të dëgjimit më shumë mundësi për të ndjekur mësimin dhe për t’u përfshirë plotësisht në sistemin arsimor.
Hapi i radhës për ekipin është zhvillimi i sistemit robotik “Africa One”, i cili do të fokusohet në pjesën e sipërme të trupit. Ky sistem synon të zgjerojë ndjeshëm fjalorin e shenjave dhe të përmirësojë më tej saktësinë e komunikimit.
