**Nafta arrin nivele rekord, benzina shtrenjtohet; A rrezikohet furnizimi?**
Çmimet e naftës dhe benzinës në tregun vendas po i afrohen niveleve rekord të shënuara gjatë luftës në Ukrainë. Sipas një analize të fundit, nafta po tregtohet në pikat me pakicë me çmime që variojnë nga 226 deri në 229 lekë për litër, duke shënuar një rritje prej 7 deri në 10 lekë për litër krahasuar me çmimin e mëparshëm prej 219 lekë për litër.
Edhe benzina ka pësuar një shtrenjtim të ndjeshëm. Nga 205 lekë për litër që ishte më parë, çmimi i saj ka shkuar në 216 deri në 219 lekë për litër, duke regjistruar një rritje prej 11 deri në 14 lekë për litër.
Pas fillimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, çmimi i naftës është rritur ndjeshëm, duke u luhatur në nivelet 219-224 lekë për litër, nga rreth 175 lekë për litër para nisjes së konfliktit. Megjithatë, kjo nuk është rritja më e lartë e çmimit të karburanteve, pasi në muajin mars 2022 çmimi i naftës arriti nivelin rekord prej 265 lekë për litër për një ditë, ndërsa për disa ditë rresht u tregtua midis 230 dhe 235 lekë për litër.
Rritja e çmimit të naftës në tregun vendas vjen pas rritjes së menjëhershme të çmimeve në tregjet e huaja më 10 shtator. Dy ditë më parë, nafta “brent crude” arriti në nivelet maksimale prej 110 USD për fuçi, nga 100 USD që tregtohej më parë. Aktualisht, në bursa nafta tregtohet me çmim 104 USD për fuçi.
Një shtrenjtim i lartë u shënua edhe te çmimi Platts, i cili përdoret si referencë për zhdoganimin e importeve. Çmimi final i Platts arriti 1,619 USD për ton, duke u rritur me 165 USD për ton krahasuar me çmimin e mëparshëm.
Rritja e menjëhershme e çmimeve në tregjet ndërkombëtare u ndikua nga situata e konfliktit në Jemen, e cila solli rënie të trafikut të anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit, ku transportohet 20% e prodhimit botëror, si dhe vështirësitë e kalimit përmes Detit të Kuq.
Operatorët: Situata më e rëndë se kurrë, rrezikohet furnizimi global me naftë
Operatorët e tregut shprehen se me bllokimin e Tubacionit kryesor në Arabinë Saudite dhe Detin e Kuq nga huthet, çmimet rrezikojnë të arrijnë nivele të papara në histori. Ata shtojnë se së bashku me situatën në Ukrainë, ky është momenti më i vështirë ndonjëherë, duke rrezikuar mungesën totale të produktit në treg, pasi prodhuesit globalë po planifikojnë bllokimin total të eksportit, ndërsa rezervat komerciale dhe strategjike janë afër zeros.
Operatorët i bëjnë thirrje qeverisë të reflektojë seriozisht mbi realitetin, pasi situata nuk mund të zgjidhet me masa sipërfaqësore apo ndërhyrje populiste. Shqipëria mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk ka marrë masa lehtësuese për uljen e barrës fiskale, e cila është më e larta në rajon. Përkundrazi, ka përfituar duke arkëtuar më shumë të ardhura në buxhet nga nafta më e shtrenjtë.
