Risi nga 14 shtatori! Gjithçka që duhet të dini për programin ‘Pas Shkolle’
Sezoni i ri shkollor, që fillon më 14 shtator, sjell një risi sa i përket programeve mësimore. Në disa prej shkollave të kryeqytetit do të zbatohet programi “Pas Shkolle”.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka publikuar një video ku ka shpjeguar në detaje se çfarë ofron ky program. Ajo nënvizon se programi ‘Pas Shkolle’ do të shtrihet në 408 shkolla në të gjithë Shqipërinë.
Sipas Kumbaros, pas mësimit, nxënësit do të kenë mundësi të zgjedhin mes aktiviteteve dhe klubeve të ndryshme, të zbulojnë interesa dhe talente të reja, të shoqërohen dhe të kalojnë kohë cilësore në ambientet e shkollës.
Megjithatë, ajo ka sqaruar se programi ‘Pas Shkolle’ nuk është i detyrueshëm. “Është një program i ri në këtë format, i përgatitur prej muajsh në bashkëpunim me zyrat arsimore dhe shkollat, që këtë vit do të shtrihet në 408 shkolla në të gjithë Shqipërinë. Është një hapësirë ku fëmijët, pas orëve të mësimit, mund të zgjedhin mes aktiviteteve dhe klubeve të ndryshme, të zbulojnë interesa dhe talente të reja, të shoqërohen dhe të kalojnë kohë cilësore në shkollë. Por ka një gjë shumë të rëndësishme: ‘Pas Shkolle’ nuk është program i detyrueshëm dhe nuk është thjesht një vend ku fëmijët qëndrojnë derisa prindërit të mbarojnë punën”, ka shkruar Kumbaro.
Ajo ka shtuar gjithashtu se prindërit, bashkë me fëmijët, do të kenë mundësinë të zgjedhin klubet dhe aktivitetet ku duan të marrin pjesë. “Është një program për fëmijët, i ofruar nga 408 shkollat publike. Në javët e para, prindërit bashkë me fëmijët do të kenë mundësinë të zgjedhin klubet dhe aktivitetet ku duan të jenë pjesë. Më pas do të fillojë krijimi i klubeve dhe zgjatja e qëndrimit të fëmijëve në shkollë me dy orë.”
Kumbaro ka përfunduar duke theksuar besimin që prindërit i kanë dhënë shkollës publike, duke rritur interesin për të edhe falë mundësive të reja që po krijohen. Ajo ka nënvizuar nevojën për komunikim intensiv me drejtorët, nëndrejtorët dhe mësuesit gjatë gjithë kësaj periudhe, për të siguruar suksesin e programit që u dedikohet nxënësve.
