“`html
“Azem, ti je gjallë”/ 28 vite më pas, Berisha akuzon PS-në e Nanos për vrasjen e Hajdarit: Krimi u krye nga terroristë me uniformë
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar sot në 28-vjetorin e vrasjes së Azem Hajdarit, duke e kujtuar atë. Në reagimin e tij, Berisha e ka cilësuar Hajdarin si “Tribunin legjendar të lirisë”, duke theksuar se demokratët dhe demokratet frymëzohen më shumë se kurrë nga trimëria e tij.
Më tej, ai akuzon Partinë Socialiste të asaj kohe për përgjegjësi në vrasjen e Hajdarit, duke e cilësuar ngjarjen si atentat terrorist shtetëror.
Në mesazhin e tij, Berisha u bën thirrje demokratëve të marrin frymëzim nga figura e Hajdarit dhe të mobilizohen për “rikthimin e votës së lirë dhe fitoren e opozitës”.
Reagimi i plotë:
“Azem, ti je gjallë! Demokrate e demokrat, tribuni ynë sot na thërret: Në sulm! O sot o kurrë! Në sulm! Në sulm!
Të dashur miq, sot demokratët dhe demokratët dhe mbarë shqiptarët përulen me nderimin më të madh, mirënjohjen më të pakufishme para veprës së pavdekshme të tribunit legjendar të lirisë së tyre, Azem Hajdari, të ekzekutuar më 12 shtator të vitit 1998 para selisë së Partisë Demokratike nga terroristë me uniformë të qeverisë së Partisë Socialiste.
Ky atentat terrorist shtetëror ndaj Azem Hajdarit, vrasja e shekullit për kombin shqiptar, ishte një hakmarrje e verbër primitive e partisë së krimit ndaj kryetrimit që në krye të lëvizjes studentore bëri më shumë se kushdo tjetër për lirinë e shqiptarëve, ndaj prijësit të Revolucionit Demokratik të Studentëve të Dhjetorit ’90, themeluesit të pluralizmit politik në Shqipëri, në vendin e diktaturës staliniste me jetë të gjatë në Europë.
Të dashur miq, ata që në një akt hakmarrje të verbër ndaj Tribunit të Lirisë, për përmbysjen e sistemit të baballarëve xhelat dhe mizor, kryen më 12 shtator të vitit 1998 ekzekutimin e tij, kanë marrë dhe do marrin gjithmonë për aktin e tyre makabër ndëshkimin e historisë. Kurse kujtimi dhe vepra e pavdekshme e Azem Hajdarit, legjenda e guximit njerëzor, bëhen çdo vit që kalon, më të ndritur dhe më madhështore.
Sot, 28 vite pas ekzekutimit të tij, kujtimi dhe vepra e pavdekshme e Azem Hajdarit janë më frymëzuese se kurrë. Gjithnjë e më e pakufishme bëhet mirënjohja e shqiptarëve për birin e tyre që si Feniks u ngrit nga hiri dhe u riktheu atyre lirinë dhe dinjitetin e munguar.
Sot, demokratët dhe demokratet frymëzohen më shumë se kurrë më parë nga trimëria epike e Azem Hajdarit, për tu ngritur dhe flakur sa më parë në koshin e plehërave të historisë regjimin e diktaturës së bandave, drogës, kakistokracisë dhe tradhtisë së lartë kombëtare të Edi Ramës.
Jeta dhe vepra e ndritur e Azem Hajdarit janë kushtrim për çdo demokrat dhe demokrate, anëtarë të thjeshtë, mbështetës të Partisë Demokratike, drejtues të strukturave në të gjitha nivelet e saj, të hidhemi në sulm për t’i rikthyer shqiptarëve votën e lirë dhe fitoren e opozitës shqiptare.
Demokrate dhe demokrat, tribuni ynë sot na thërret: O sot o kurrë! Në sulm! Në sulm! Azem, ti je gjallë!”
“`
