Çdo qytet do ketë përfaqësuesin e vet
Rama për reformën territoriale në Gjirokastër: Bashkitë e vogla nuk i kryejnë dot disa funksione
Kryeministri Edi Rama ka ndarë detaje nga takimi që ka zhvilluar në Gjirokastër me këshilltarët bashkiakë dhe qytetarët, lidhur me reformën territoriale. Gjatë takimit u diskutua për shkrirjen e tre bashkive: Këlcyrë, Memaliaj dhe Libohovë.
Sipas kryeministrit Rama, kjo masë synon fuqizimin ekonomik dhe social të komuniteteve, racionalizimin e burimeve njerëzore në nivel vendor, si dhe përgatitjen për punën me fondet e anëtarësimit në BE.
Në Gjirokastër, Rama sqaroi se Reforma Territoriale parashikon që në Këshillat Bashkiakë të ketë kuota të barabarta përfaqësimi për qytetet përbërëse të bashkisë. Ai theksoi se çdo qytet do të drejtohet nga një drejtues, i cili do të jetë njëkohësisht edhe nënkryetar i bashkisë.
“Qëllimi është për të pasur një përqendrim më racional të disa funksioneve që nuk i bëjnë dot bashkitë e vogla. Edhe të mëdhatë i kanë të vështira. Ndryshe nga sot, çdo qytet do drejtohet nga drejtuesi i qytetit, që do jetë njëkohësisht edhe nënkryetari i Bashkisë. Do ketë përfaqësuesit e vet në Këshillin Bashkiak. Do ndahet Këshilli Bashkiak me kuota, kaq kuota nga Libohova. Si do ja marrin buxhetin Libohovës që ja çojnë në Gjirokastër. Aty në Këshill Libohova do ketë përfaqësuesit e vet. E njëjta gjë në Memaliaj-Tepelenë. Ato janë dy qytete të barabarta. Jam shumë dakord që njësitë administrative sot nuk funksionojnë siç duhet, nuk bëjnë atë gjënë që janë të parët që duhet ta bëjnë”, tha mes të tjerash Rama.
Pas takimit në Gjirokastër, kryeministri Rama ka zhvilluar edhe një takim informues me strukturat në bashkinë Vlorë, pikërisht për reformën territoriale.
