“`html
Bllokimi i pagave, Rama ironizon gjyqtarin e GJKKO pas deklaratave në media: E pabesueshme, por e vërtetë…
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj deklaratave të gjyqtarit të Gjykatës së Posaçme të Apelit (GJKKO), Engert Pëllumbi, lidhur me moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama ka cituar gjyqtarin Pëllumbi, i cili në një intervistë televizive deklaroi se pagat e magjistratëve nuk shkaktojnë probleme në buxhet pasi “kanë qesen e tyre”.
Kryeministri Rama ka komentuar kështu:
“E pabesueshme, por e vërtetë që një gjykatës e kupton kështu pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe e shikon kështu buxhetin e shtetit shqiptar…”
Më herët, gjyqtari Pëllumbi kishte shpjeguar se çështja e pagave nuk lidhet me ndonjë ngërç teknik apo mungesë fondesh, por me një vendimmarrje politike të pushtetit ekzekutiv, të cilën ai e cilësoi si shkelje të Kushtetutës dhe të neneve përkatëse të Kodit Penal.
Ai u shpreh:
“Deri në fund të vitit nuk shtrohet fare diskutimi për probleme buxhetore, duke qenë se ne kemi qesen tonë të buxhetit. Nuk po marrim nga qeset e të tjerëve. Me pak fjalë, nuk po na lejohet të marrim nga qesja jonë.”
“`