“`html
Debati për reformën territoriale në Berat, Rama: Kokëfortësia kolektive e Poliçanit i dha shije diskutimit
Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë pamjet e takimit të mbajtur në Berat, lidhur me reformën territoriale. Ai ka ironizuar përfaqësuesit e Poliçanit, të cilët bojkotuan takimin.
“Sot në Berat, ku kokëfortësia kolektive e Poliçanit dhe këmbëngulja e disa zonjave të mirëpërgatitura të Dimalit, i dhanë diskutimit shijen e një ballafaqimi të posaçëm”, ka shkruar Rama në një postim në rrjetet sociale, duke bashkëngjitur pamjet nga takimi.
Më herët gjatë ditës, u raportua se kryebashkiaku i Poliçanit, Adriatik Zotkaj, dhe aktorja Egla Ceno, ishin larguar nga takimi.
Lidhur me kundërshtitë për shkrirjen e Bashkisë së Poliçanit, Rama ka deklaruar se kjo nuk do të sjellë ndërprerjen e shërbimeve, të cilat do të ofrohen në vendin ku janë aktualisht.
“Më thoni ju çfarë mendoni se do të dëmtohet në rast se do të bëhet bashki. Kur më thua rruga, apo shërbimi, këto nuk ndryshojnë. Shërbimet nuk do të largohen nga Poliçani, nga Dimali apo askund. Përkundrazi, ato nuk ndryshojnë. E vetmja gjë që ndryshon në raport me atë që keni është se nuk do të keni kryetar bashkie të zgjedhur. Nuk ndryshon godina, nuk ndryshon stafi, nuk ndryshon numri i shërbimeve që ofrohen, në kuptimin që nuk ulet, përkundrazi, duhet të shtohet. Ti thua distanca? Çfarë lidhje ka distanca? Ato shërbime që ti merr sot në Poliçan ose në Dimal, do t’i marrësh po aty. Pra, bashki, qytet, njësi administrative. Dhe qyteti Poliçan, qyteti Dimal do të kenë drejtuesin e tyre, do të kenë këshilltarët e tyre në Këshillin Bashkiak të bashkisë Berat, me kuota.
Më thoni dhe një gjë tjetër, a janë komunat më mirë sot apo ishin më mirë kur ishin veç? Sepse këto biseda i kam dëgjuar “mot a mot” edhe në kohën e reformës së vitit 2015: ‘do na ikë kjo, do na ikë ajo; jo distanca; o sa larg është Poliçani, ne jemi këtu te komuna jonë; sa larg është qendra e Urës, ne jemi te komuna jonë; ne kemi këtë, kemi atë, kemi kryetarin e komunës…’ A ndodhi ndonjë gjë e kësaj natyre? A kanë marrë më shumë investime komunat sot seç bënin më parë apo kanë marrë më pak? Investimet e komunave nga iu erdhën? Nga vetja? Iu erdhën nga bashkimi”, u shpreh ndër të tjera Rama.
“`