Profesor matematike me Inteligjencë Artificiale? Rama: Kemi gjithnjë e më pak mësues
Botuar më 13.09.2026 nga Shek
Kryeministri Edi Rama ka folur për mungesën e mësuesve të matematikës në sistemin arsimor, duke ngritur gjithashtu mundësinë që teknologjia të luajë një rol më të madh në procesin mësimor në të ardhmen.
Gjatë një interviste në podkastin “Flasim”, Rama u ndal te problematika e mungesës së mësuesve të matematikës dhe zhvillimi i teknologjisë në arsim. Kryeministri ka hedhur në diskutim edhe skenarin që, me zhvillimin e inteligjencës artificiale dhe teknologjive të reja, një ditë mësuesi tradicional në klasë mund të zëvendësohet nga zgjidhje teknologjike.
“Ne kemi një problem që tanimë është i qartë, por asnjë gjasë nuk tregon që do të lehtësohet; përkundrazi, do të rëndohet. Ky është problemi i mungesës së mësuesve të matematikës. Njerëz për të shkuar të studiojnë ka gjithnjë e më pak. Mësuesit e matematikës janë ata nga e kaluara, që pak e nga pak po dalin në pension. A duhet ta stimulojmë teknologjinë që ta bëjë teknologjia mësuesin e matematikës? Këtë problem e ka edhe Evropa, Italia, Franca. Nuk e kemi vetëm ne. A është normale, e ligjshme, e dobishme apo e paudhë?
Unë mendoj që kjo e ardhme është shumë e afërt. Nuk frikësohem, se mungesa e dijes të bën më pak të trembur nga ajo që vjen vërdallë. Nuk është e rastit që trimat më të mëdhenj janë komplet injorantë. Në një kuptim, ka dhe një budallallëk në trimëri kur është puna tek informacioni. Kur nuk e di që zjarri të djeg, je trim mjaftueshëm që të shkosh ta prekësh me dorë. Unë nuk kam frikë në këtë sens. Madje, ne jemi duke menduar për diçka humanoide, për diçka robotike,” tha kryeministri.