Hapet Konsullata e Nderit të Shqipërisë në Napoli, Rama i pranishëm në ceremoni
Publikuar më 14.09.2026 nga Shek
Kryeministri Edi Rama ka udhëtuar sot drejt Italisë, ku merr pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Konsullatës së Nderit të Republikës së Shqipërisë në Napoli.
“Konsullata, e drejtuar nga Konsulli i Nderit Giuseppe Lettieri, do të ketë juridiksion në rajonin e Kampanjës. Ajo do të shërbejë si pikë referimi për komunitetin shqiptar, duke kontribuar në ofrimin e shërbimeve dhe në forcimin e bashkëpunimit ekonomik, kulturor dhe social mes Shqipërisë dhe Italisë,” njofton Kryeministria.
Gjatë vizitës, Kryeministri Rama do të vizitojë Katedrën e Gjuhës Shqipe në Universitetin “L’Orientale”, si dhe Universitetin “Parthenope”. Aty do të marrë pjesë në një pritje me temë “Napoli, një urë miqësie, bashkëpunimi dhe zhvillimi mes Italisë dhe Shqipërisë”.
Vizita do të përmbyllet me një takim me rektorët e universiteteve të Napolit. Së bashku me ministren Kumbaro, kreu i qeverisë do të diskutojë për mundësitë e sinergjive me universitetet shqiptare në kuadrin e ndërkombëtarizimit.