Braçe kritikon KLGJ dhe KLP për pagat e magjistratëve: Nuk mund të prekë kushdo Thesarin. Kërkoni falje, mund t’i kallëzojmë
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka vijuar kritikat ndaj Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) lidhur me vendimet për pagat e magjistratëve.
Gjatë mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Braçe deklaroi se vendimmarrja për fondet e shtetit duhet të bëhet vetëm nga institucionet që kanë autorizim të përcaktuar me ligj.
“Në qoftë se gjithkush në këtë vend, që ka një fuqi në dorë, do të dalë nesër e të thotë ‘i dua të ardhurat e mia’, kjo i vë shkelmin parave të shqiptarëve. Ata janë paratë e taksapaguesve shqiptarë. Përgjegjshmëria duhet të vijë nga këtu, dhe jo nga fuqia për të detyruar. Nëse ndjek rrugën e fuqisë, natyrisht që i vëmë shkelmin shtetit.
Ka qenë vullneti ynë politik që ata të paguheshin edhe shumë më mirë se deputetët e Kuvendit të Shqipërisë. Në hierarkinë e pagave janë shumë më lart. Në Thesarin e Shtetit nuk fut dorën kurrkush që nuk është i autorizuar nga ligji. Kemi kohë që nuk kemi rënë në kiza të forta pikërisht prej kësaj, sepse nuk ka më ‘fut dorën dhe ik’.
Disiplina fiskale është themelore për shtetin. A mban më ky vend të hyjë në një krizë ekonomike dhe financiare? Unë mendoj që nuk mban. Duke ruajtur kush pozicionin e vet, mendoj se ai dalim,” tha Braçe.
Braçe shkoi edhe më tej, duke shtuar se KLP dhe KLGJ duhet të kërkojnë falje pasi morën kompetencat e Kuvendit dhe për këtë gjë “mund t’i kallëzojmë”.
“Ata të KLP dhe KLGJ t’i kërkonin ndjesë minimalisht deputetëve të këtij komisioni, që ka atributet kushtetuese për përcaktimin e rrogave të tyre. Vendimi i tyre, jo vetëm që nuk ka pyetur për këtë, por ka marrë kompetenca të drejtpërdrejta të Kuvendit të Shqipërisë.
Gjykata Kushtetuese i kërkoi parlamentit t’ia përcaktonte rrogën. Ai akt që ata kanë bërë është edhe akt i kallëzueshëm. Kallëzimi që ata kanë bërë për drejtuesit e Thesarit të Shqipërisë është i paprecedentë, akt vetëgjyqësie i pandodhur në këtë vend.
Ky Kuvend, pasi të kërkojë ndjesë pse nuk ka zbatuar vendimin e Kushtetueses para datës 31 korrik, t’i kallëzonte ata që i kanë marrë atributet e tij Kuvendi,” tha Braçe.
Kriza e pagave në sistemin e drejtësisë kulmoi pasi Kuvendi nuk miratoi deri më 31 korrik formulën e re të pagave, siç kishte kërkuar Gjykata Kushtetuese. Pas kalimit të afatit, KLGJ dhe KLP vendosën që nga 1 gushti paga referuese të llogaritej mbi 222 mijë e 425 lekë, plus 14 mijë lekë shtesë për kualifikimin. Ministria e Financave nuk i ekzekutoi listëpagesat me këtë përllogaritje, duke argumentuar se përcaktimi i pagave është kompetencë e Kuvendit.