Plani për Porto Palermon: Nga Muzeu i Luftës së Ftohtë te ish-kazermat (hotel) për vizitorë
Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit (AKPT) ka shpallur një konkurs ndërkombëtar për transformimin e ish-bazës ushtarake dhe Tunelit të Nëndetëseve në Porto Palermo në një kompleks të ri publik, i cili do t’i kushtohet kujtesës së Luftës së Ftohtë, kulturës dhe turizmit.
Projekti parashikon kthimin e tunelit të nëndetëseve në Muzeun e Luftës së Ftohtë, ndërsa ish-kazermat ushtarake do të rikonstruktohen për të ofruar akomodim, gastronomi, aktivitete kulturore dhe edukative.
“Dikur i ndërtuar për të mbetur i fshehur. Nesër, një mundësi për të hyrë, kuptuar dhe kujtuar”, thuhet në thirrjen e publikuar nga AKPT, e cila inkurajon arkitektë dhe ekipe multidisiplinare nga Shqipëria dhe jashtë vendit të paraqesin koncept-idetë e tyre.
Konkursi organizohet nga AKPT në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Ministrinë e Mbrojtjes dhe Institutin e Gjeografisë dhe Infrastrukturës Ushtarake. AKPT është caktuar si organi qendror blerës për zhvillimin e procedurës.
Tuneli i Nëndetëseve: Thelbi i Muzeut
Në qendër të ndërhyrjes është Tuneli i Nëndetëseve. Dokumentacioni e përshkruan atë jo thjesht si hapësirë, por si vetë objektin kryesor të muzeut. “Vetë tuneli është artefakti kryesor i muzeut”, theksohet në termat e referencës.
Tuneli ka një gjatësi rreth 655 metra, lartësi rreth 11 metra dhe gjerësi minimale rreth 11 metra. Pjesa ujore varion nga rreth 7 deri në 14 metra në gjerësi, ndërsa thellësia është kryesisht 6-8 metra, duke arritur në rreth 11 metra në disa zona.
Kompleksi nëntokësor u ndërtua në vitin 1969, gjatë bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kinës, dhe punimet vijuan për afro dy dekada. Fillimisht u projektua për mjete detare, dhe më pas u përshtat për flotën shqiptare të nëndetëseve, përfshirë ato të Projektit 613, të njohura nga NATO si klasa “Whiskey”. Tuneli ishte projektuar sipas standardeve të kohës për mbrojtjen antibërthamore, me dy porta të blinduara dhe hermetike, të ndërtuara për t’i rezistuar sulmeve ajrore dhe shpërthimeve deri në 10 kiloton. Aktualisht, hyrja jugore është e hapur, ndërsa porta veriore mbetet e mbyllur.
Ish-kazermat: Nga Baza Ushtarake në Akomodim për Vizitorë
Konkursi shtrihet përtej muzeut brenda tunelit. Ish-kazermat, shumica e të cilave janë aktualisht të degraduara, do të marrin funksione të reja. Dokumenti parashikon që akomodimi të jetë i lidhur ngushtë me identitetin e ish-bazës, muzeun dhe peizazhin.
Në ish-kazerma mund të zhvillohen gjithashtu funksione pritjeje, gastronomi, edukim, kulturë dhe shërbime të tjera të nevojshme për kompleksin. Termat e referencës përcaktojnë se vizitorët mund të qëndrojnë në Porto Palermo për një natë ose për periudha më të gjata, të lidhura me programe kulturore, edukative apo kërkimore.
Megjithatë, dokumenti vendos një kufi të qartë ndaj zhvillimit tradicional turistik. “Qëllimi nuk është krijimi i një destinacioni konvencional turistik bregdetar”, por një formë mikpritjeje e lidhur me historinë, kulturën, peizazhin dhe karakterin e Porto Palermos. Po kështu, projekti nuk duhet të synojë maksimizimin e shtretërve. Kapaciteti i akomodimit duhet të përcaktohet nga potenciali i ndërtesave ekzistuese, cilësia e qëndrimit dhe kapaciteti real i territorit.
Synimi është që muzeu, aktivitetet kulturore dhe qëndrimi në ish-bazë të krijojnë arsye për ta vizituar Porto Palermon edhe jashtë sezonit veror. Dokumenti kërkon gjithashtu lidhje me ekonominë vendase përmes punësimit, sipërmarrjeve të vogla, gastronomisë lokale, artizanatit, guidave dhe shërbimeve të tjera.
Një Pjesë e Porto Palermos Mbetet Baza Ushtarake
Transformimi nuk do të përfshijë të gjithë ish-kompleksin. Një pjesë e Porto Palermos vazhdon të përdoret nga Forcat Detare Shqiptare për funksione operacionale dhe stërvitore. Moli i vogël dhe godina pranë tij do të mbeten në përdorim ushtarak, ndërsa helipadi do të vazhdojë të ruajë funksionin operacional të Forcave Detare. Jashtë periudhave kur nevojitet për operacione ose stërvitje, helipadi mund të përdoret edhe nga kompleksi i ri, sipas kushteve të sigurisë.
Konkursi zhvillohet gjithashtu brenda një territori të mbrojtur. Parku Natyror i Gjirit të Porto Palermos ka një sipërfaqe prej rreth 1,695 hektarësh, gati 88% e së cilës është detare. Zona me regjim strikt mbrojtjeje që mbivendoset me territorin e konkursit përcaktohet si zonë pa ndërhyrje fizike. Edhe Kalaja e Porto Palermos mbetet jashtë ndërhyrjes. Ajo nuk është objekt projektimi dhe duhet të trajtohet si pjesë e eksperiencës së përgjithshme të vizitorit dhe e marrëdhënies mes muzeut, gjirit dhe peizazhit.
