Hetimi për vdekjen e Mazonakis: provat dixhitale kryesore

## Substancë para plazmaferezës? Misteri i vdekjes së këngëtarit grek Giorgos Mazonakis, çfarë dyshojnë hetuesit

Hetimi për vdekjen e këngëtarit grek Giorgos Mazonakis po merr një drejtim të ri, ndërsa autoritetet greke po fokusohen te provat dixhitale të sekuestruara. Në veçanti, një fotografi e realizuar nga Ioanna Gaka me Mazonakis dhe më pas e dërguar te një marrës ende i paidentifikuar, po konsiderohet si një element kyç.

Sipas të dhënave të ekspertizës dixhitale, Gaka kishte bërë dy fotografi dhe një video më 9 shtator, të cilat më pas rezultuan të fshiheshin para se ajo të paraqitej në stacionin e policisë.

* **Fotografia e parë**, realizuar në orën 14:43:36 dhe fshirë në orën 19:09:09, tregon Mazonakis të shtrirë në shtratin e klinikës, me pajisje mjekësore në duart e tij. Të dhënat e vendndodhjes të ruajtura në metadatat e saj përputhen me adresën e klinikës. Hetuesit kanë evidentuar gjurmë dixhitale të shpërndarjes së kësaj fotografie te një marrës i panjohur.
* **Fotografia e dytë**, realizuar në orën 14:45:22 dhe fshirë në orën 19:09:13, përmban të njëjtat koordinata gjeografike.
* **Një video e fshirë**, realizuar në orën 14:43:55, pra mes dy fotografive, rezulton gjithashtu të jetë fshirë në orën 19:09:13.

Për hetuesit, rikuperimi i këtyre të dhënave të fshira është thelbësor për të përcaktuar kujt i është dërguar fotografia, përmes cilit aplikacion është shpërndarë, nëse ka pasur mesazhe shoqëruese dhe nëse materiali është përcjellë më tej. Identifikimi i marrësit mund të japë një drejtim të ri hetimit, veçanërisht nëse komunikimi përputhet me kronologjinë e ngjarjeve në klinikë.

Në fokus të autoriteteve janë edhe telefonat celularë të tre punonjësve të klinikës, ku pritet të analizohen komunikimet dhe gjurmët e tjera dixhitale.

Një tjetër pistë që po shqyrtohet është mundësia që Mazonakis t’i jetë administruar një substancë para ose gjatë plazmaferezës. Autoritetet presin rezultatet e analizave toksikologjike për të përcaktuar nëse ndonjë substancë është administruar në rrethana që kërkojnë mbikëqyrje mjekësore.

Rezultatet e ekspertizave dixhitale dhe toksikologjike pritet të jenë vendimtare për të hedhur dritë mbi rrethanat e vdekjes së Giorgos Mazonakis.

Scroll to Top