Shqipëria: Shpenzime të larta për ujë, por jo ujë 24 orësh

Shqipëria shpenzon më shumë se niveli i nevojshëm për ujë dhe kanalizime, por nuk ofron ujë 24 orësh

Shqipëria paraqet një rast unik, ku shpenzimet për furnizimin me ujë dhe kanalizime tejkalojnë nivelet e nevojshme për arritjen e objektivave deri në vitin 2030. Megjithatë, aksesi i popullsisë në shërbime të menaxhuara në mënyrë të sigurt mbetet relativisht i ulët.

Kjo është një nga gjetjet kryesore të raportit të Bankës Botërore, “Funding a Water-Secure Future: An Assessment of Global Public Spending”, i cili analizon shpenzimet publike globale për sektorin e ujit. Banka Botërore ka krahasuar shpenzimet e vendeve me shkallën e aksesit në ujë dhe kanalizime, për të vlerësuar nëse financimet aktuale janë të mjaftueshme për të arritur Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm 6.1 dhe 6.2. Këta objektivë synojnë akses universal në ujë të pijshëm dhe kanalizime të menaxhuara në mënyrë të sigurt deri në vitin 2030.

Përsa i përket kanalizimeve, analiza përfshiu 57 vende, të cilat u klasifikuan sipas nivelit të aksesit dhe nëse shpenzimet e tyre ishin mbi apo nën nevojat e llogaritura. Shqipëria bën pjesë në grupin e vendeve me akses më të ulët se mesatarja globale, por që njëkohësisht shpenzon më shumë se niveli i vlerësuar i nevojshëm. Nga 40 vende me akses të ulët, vetëm Shqipëria, Mali i Zi dhe Peruja u identifikuan në këtë situatë.

Një situatë e ngjashme vërehet edhe për furnizimin me ujë. Në analizën e 59 vendeve, ku niveli mesatar global i aksesit në ujë të menaxhuar në mënyrë të sigurt ishte rreth 74.3% në vitin 2020, Shqipëria dhe Peruja shpenzonin më shumë se niveli i vlerësuar i nevojshëm, ndërkohë që vazhdonin të kishin akses relativisht të ulët. Në të kundërt, Mali i Zi dhe Bullgaria kombinonin shpenzime të mjaftueshme me akses mbi mesataren.

Banka Botërore thekson se shpenzimet më të larta mund të tregojnë përpjekje aktive të vendeve për zgjerimin e rrjetit dhe përmirësimin e shërbimeve. Megjithatë, raporti ngre gjithashtu mundësinë që shpenzimet e larta të mos reflektohen në rezultate proporcionale, për shkak të efikasitetit të ulët të investimeve. Sipas raportit, niveli i shpenzimeve nuk është domosdoshmërisht një tregues i cilësisë apo rezultateve të arritura.

Edhe vlerësimet për peshën e shpenzimeve në ekonomi e veçojnë Shqipërinë në rajon. Banka Botërore llogarit se shpenzimet totale për sektorin e ujit në Shqipëri arrijnë rreth 0.88% të PBB-së, ku 0.73% e PBB-së përbëjnë shpenzime kapitale. Vetëm për furnizimin me ujë dhe kanalizimet (WSS), shpenzimet totale vlerësohen në 0.66% të PBB-së, ndërsa investimet kapitale në 0.57% të PBB-së. Këto shifra janë më të larta se në pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor të përfshirë në analizë:

  • Mali i Zi: 0.60% të PBB-së (shpenzime totale për sektorin e ujit)
  • Bosnjë-Hercegovinë: 0.35% të PBB-së
  • Serbi: 0.31% të PBB-së
  • Maqedonia e Veriut: 0.23% të PBB-së
  • Kosovë: 0.11% të PBB-së

Në periudhën 2009-2020, Shqipëria realizoi mesatarisht rreth 80% të fondeve të buxhetuara për sektorin e ujit, duke lënë pa ekzekutuar rreth një të pestën e fondeve të planifikuara. Kjo normë është më e lartë se mesatarja globale prej rreth 72% që raporti llogarit për sektorin e ujit. Rasti i Shqipërisë bie në kontrast me problemin kryesor që Banka Botërore konstaton në shumicën e vendeve.

Scroll to Top