Rritje çmimi naftë: “Taksë e fshehtë” nga qeveria shqiptare

“Taksë e fshehtë” mbi naftën për rezervën e sigurisë, pritet rritja e çmimit – edhe qeveria e pranon

Qeveria shqiptare ka propozuar krijimin e një rezerve strategjike të naftës në pronësi të shtetit. Megjithatë, një pjesë e kostos së kësaj rezerve do të mbulohet nga operatorët privatë, të cilët pritet ta transferojnë këtë kosto te çmimi final i pakicës.

Vetë qeveria, në një raport të saj, ka pranuar se sigurimi i fondeve për këtë rezervë do të kërkojë, ndër të tjera, vendosjen e një tarife mbi sasitë e produkteve energjetike hidrokarbure. Kjo tarifë do të sjellë një rritje të ngarkesës financiare në të gjithë zinxhirin dhe do të reflektohet në çmimin përfundimtar të shitjes te konsumatori.

Rezerva strategjike synon të përdoret në raste emergjencash, siç janë situatat kur importet e karburanteve mund të ndërpriten dhe vendi ka nevojë të garantojë furnizimin me karburant për shërbime jetike, si ambulancat apo mjetet e ushtrisë.

Projektligji, në nenin 8, parashikon që rezerva të krijohet përmes depozitimit të naftës nga një Autoritet shtetëror që do të ngrihet, në marrëveshje me operatorë privatë të licencuar. Në këtë mënyrë, kompanitë private do të jenë përgjegjëse për depozitimin fizik të karburantit për llogari të shtetit, me qëllim krijimin e rezervës së sigurisë.

Por, përveç detyrimit për depozitimin fizik të produktit, operatorët do të ngarkohen edhe me një pagesë, e përcaktuar në projektligj si “tarifa e rezervës së sigurisë”. Kjo tarifë do të shkojë në një fond të posaçëm, i cili do të përdoret për mbulimin e shpenzimeve të krijimit të rezervës fizike, mirëmbajtjen, monitorimin dhe kostot e tjera të lidhura me këtë skemë.

Pjesa tjetër e shpenzimeve për mirëmbajtjen e rezervës, sipas draftit, do të mbulohen edhe përmes kredive, të ardhurave nga buxheti i shtetit, të ardhurave nga shitja e rezervave, etj.

Shoqata e Hidrokarbureve ka ngritur shqetësime lidhur me mënyrën se si qeveria parashikon të financojë këtë model të ri për krijimin e rezervës së naftës. Sipas tyre, drafti nuk përcakton kostot e sakta për blerjen e karburantit për rezervën, magazinimin dhe rinovimin e stokut. Gjithashtu, mbetet i paqartë trajtimi i humbjeve, në rast se çmimi i karburantit bie pasi rezerva të jetë blerë.

Projektligji përcakton një tarifë mbi produktet hidrokarbure të akcizës. Shoqata e Hidrokarbureve argumenton se kjo pagesë nuk mund të konsiderohet si tarifë për një shërbim, pasi nuk bëhet fjalë për një shërbim që shteti i ofron kompanive, por për financimin e një detyrimi publik përmes një tarife të vendosur mbi karburantet.

Kjo pagesë, sipas Shoqatës, do të kthehet në një kosto shtesë për konsumatorin, pasi do të përfshihet në çmimin e karburantit. Për këtë arsye, Shoqata e Hidrokarbureve e konsideron këtë si një “taksë të fshehtë” dhe antikushtetuese, pasi niveli i saj nuk do të miratohet nga Parlamenti, por përmes vendimit të ministrive të linjës.

Ndërkohë, në tetor të vitit 2025, qeveria miratoi projektligjin për krijimin e rezervave të sigurisë së naftës. Një dokument zyrtar që shoqëroi nismën gjatë fazës së konsultimit përcaktonte qartë se tarifa për financimin e skemës do të ndikojë në çmimin final të karburanteve.

Raporti i Vlerësimit të Ndikimit, i hartuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë gjatë fazës së konsultimit, evidenton një efekt potencial të drejtpërdrejtë në çmimin që paguhet në treg. Dokumenti analizon disa alternativa dhe përcakton si opsion të preferuar hartimin dhe miratimin e një ligji të ri për rezervat e sigurisë.

Në analizën e ndikimeve të politikës, Ministria parashikon se krijimi dhe funksionimi i sistemit do të financohet, ndër të tjera, përmes një tarife mbi sasitë e produkteve hidrokarbure. Raporti thotë qartë: “Sigurimi i fondeve do të kërkojë, ndër të tjera, vendosjen e tarifës që do të aplikohet mbi sasitë e produkteve energjetike hidrokarbure”.

Sipas të njëjtit dokument, kjo do të sjellë rritje të ngarkesës financiare në zinxhir dhe do të reflektohet në çmimin përfundimtar të shitjes te konsumatori. Më tej, në pjesën ku analizohen kostot për bizneset, raporti është edhe më specifik. Ai parashikon vendosjen e tarifës mbi produktet hidrokarbure që i nënshtrohen akcizës dhe shton se “kjo do të ndikojë në çmimin final të shitjes së nënprodukteve në tregun vendas”.

Edhe përmbledhja ekzekutive e raportit parashikon tarifa financiare për bizneset, duke i vlerësuar si minimale. Tarifat do të mblidhen pasi produkti të jetë shitur për konsumatorin final. Megjithatë, raporti nuk jep një përllogaritje se sa mund të jetë efekti në lekë për litër dhe niveli i tarifës nuk përcaktohet në vlerësimin e ndikimit, duke mos bërë të mundur përcaktimin e ndikimit real të rritjes së çmimit.

Mekanizmi ishte parashikuar që në fazën e konsultimit: Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, së bashku me Ministrinë e Financave, do t’i propozonin Këshillit të Ministrave tarifën për krijimin dhe mbajtjen e rezervës së sigurisë, të aplikuar mbi produktet hidrokarbure që i nënshtrohen akcizës.

Pa këtë taksë shtesë, Shqipëria, si një nga vendet më të varfra të Europës, renditet e treta më e shtrenjta në kontinent për naftën, me çmime pothuajse të barabarta me Norvegjinë dhe Danimarkën, rreth 2.5 euro për litër. E matur sipas fuqisë blerëse, nafta në Shqipëri është 2.6 herë më e shtrenjtë se mesatarja europiane. Arsyeja kryesore është barra e rëndë e taksave, që përbëjnë gati gjysmën e çmimit, krahasuar me rreth 30% në rajonin përreth, ku vazhdimisht janë zbatuar lehtësi fiskale. Në vend të uljes së taksave, qeveria, në kulmin e krizës, ka ndërmarrë një veprim që pritet ta rrisë edhe më tej çmimin.

Scroll to Top