Kompania “Anthropic” zgjeron përdorimin e inteligjencës artificiale në shkencat e jetës.
“Anthropic”, kompania që zhvilloi modelin e inteligjencës artificiale Claude, ka krijuar një laborator biologjie në zonën e San Franciskos. Ky hap shënon zgjerimin e aktivitetit të saj nga kërkimi kompjuterik drejt eksperimenteve në kushte reale laboratorike.
Ky zhvillim paraqet një fazë të re në përpjekjet e kompanisë për të aplikuar inteligjencën artificiale (AI) në shkencat e jetës dhe në kërkimin e trajtimeve të reja.
Laboratori, i njohur si “laborator i lagësht”, është një hapësirë dedikuar kryerjes së eksperimenteve fizike dhe biologjike. Më parë, një pjesë e konsiderueshme e kërkimit të “Anthropic” në biologji është realizuar “in silico”, pra përmes analizave dhe eksperimenteve të kryera me ndihmën e kompjuterave.
Eric Kauderer-Abrams, kreu i shkencave të jetës në kompani, konfirmoi ekzistencën e laboratorit për Reuters. Ai theksoi se eksperimentet në një mjedis real janë thelbësore për përparimin e mëtejshëm të kërkimit biologjik.
Sipas tij, qasja e “Anthropic” është e ngjashme me atë të kompanive bioteknologjike, ku një pjesë e punës kryhet brenda kompanisë dhe pjesa tjetër në bashkëpunim me partnerë të jashtëm.
Kompania ka deklaruar se synon të përdorë AI për kërkimin e trajtimeve për sëmundje të rralla. Megjithatë, një zëdhënës sqaroi se laboratori nuk është projektuar posaçërisht për zbulimin e ilaçeve.
Ky zgjerim drejt eksperimenteve biologjike vjen në një moment kur “Anthropic” po eksploron mundësi të reja për aplikimin e AI në shkencë. Suksesi në zhvillimin e barnave mbetet sfidues për shkak të fazave të gjata të testimit dhe provave klinike.
