BE rrit gatishmërinë e misionit detar në Detin e Kuq pas sulmeve të Huthive
Bashkimi Evropian ka rritur nivelin e gatishmërisë së misionit të tij detar në Detin e Kuq, pas përkeqësimit të situatës së sigurisë në rajon.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, ka deklaruar se anijet e misionit “Mburoja e Bashkimit Evropian” kanë rritur gatishmërinë, ndërsa vijojnë misionet e shoqërimit të anijeve tregtare.
Ky vendim vjen pas sulmeve të rebelëve Huthi në rajon, përfshirë sulmet ndaj Arabisë Saudite. Kallas i ka cilësuar sulmet e Huthive si të papranueshme dhe ka theksuar se ato dëmtojnë ekonominë globale.
Ajo ka bërë të ditur gjithashtu se ka zhvilluar një bisedë me ministrin e Jashtëm saudit, Faisal bin Farhan, duke shprehur mbështetjen e BE-së për Riadin. Një ditë më parë, Bashkimi Evropian dënoi sulmet e Huthive të mbështetur nga Irani ndaj territorit saudit dhe shprehu “solidaritetin e plotë” me Arabinë Saudite.
Misioni detar evropian, i nisur në vitin 2024, synon të mbrojë anijet tregtare nga sulmet e rebelëve Huthi në Jemen. Aktualisht, misioni “Mburoja” përfshin tre anije ushtarake që operojnë për mbrojtjen e trafikut detar në Detin e Kuq.
