Çmimet e ushqimeve në Shqipëri kalojnë mesataren e BE-së

Titulli: Shqipëria arrin dhe kalon mesataren e BE-së për çmimet e ushqimeve

Prej më shumë se tre dekadash, integrimi në Bashkimin Europian ka qenë prioritet kryesor i qeverive shqiptare, duke u prezantuar si premtimi më i rëndësishëm nga qeveria aktuale. Procesi formal i integrimit ka shënuar përparime të ndjeshme në vitet e fundit, me Shqipërinë që ka hapur të gjitha kapitujt e negociatave dhe ka mbyllur përkohësisht tre të parët në korrik 2026. Megjithatë, ka një tregues ku Shqipëria jo vetëm ka arritur Europën, por tashmë e ka kaluar atë: çmimet e ushqimeve.

Në vitin 2025, niveli i çmimeve të ushqimeve në Shqipëri arriti në 103% të mesatares së Bashkimit Europian, duke kaluar për herë të parë pragun e 100%. Kjo do të thotë se një shportë ushqimore që mesatarisht kushton 100 njësi monetare në BE, në Shqipëri arrin rreth 103 njësi, sipas standardeve të fuqisë blerëse. Në vitin 2016, niveli më i ulët i regjistruar që nga viti 2005, kur raportohen të dhënat më të hershme, çmimet e ushqimeve ishin sa 66% e mesatares së BE-së. Gjatë 9 viteve, ky tregues u rrit me 36 pikë përqindjeje.

Ndryshe nga çmimet e ushqimeve, PBB-ja për frymë në Shqipëri në vitin 2025 ishte vetëm 43% e mesatares së BE-së, ndërsa konsumi aktual individual për frymë (AIC), që pasqyron më mirë fuqinë reale të konsumit të familjeve, ishte 48%. Të dy këto tregues, megjithëse janë përmirësuar nga 30% dhe 37% respektivisht në vitin 2016, e mbajnë Shqipërinë ende ndër vendet e fundit në Europë.

Ecuria e çmimeve në krahasim me të ardhurat

Ecuria afatgjatë thekson kontrastin e dukshëm. Në vitin 2005, çmimet e ushqimeve në Shqipëri ishin 73.8% e mesatares së BE-së. Pas një periudhe kur diferenca me Europën u zgjerua, duke arritur në rreth 67% të mesatares europiane për ushqimet në vitet 2013-2015, tendenca ndryshoi. Nga 67.7% në vitin 2015, indeksi i çmimeve të ushqimeve u ngjit në 81.2% në 2019, 84.9% në 2022, 90.7% në 2023, pothuajse u barazua me BE-në në 2024 (99.6%) dhe e kaloi atë në 2025 (102.9%).

Në të njëjtën periudhë, treguesi i konsumit/të ardhurave reale për frymë në raport me BE-në u përmirësua dukshëm më ngadalë: nga rreth 38% në 2015 në 48% në 2025, pra një rritje prej vetëm 10 pikë përqindjeje. Ky zhvillim tregon se çmimet e ushqimeve janë afruar me Europën mbi tri herë më shpejt sesa fuqia ekonomike e konsumatorit shqiptar.

Është e rëndësishme të theksohet se rritja e të ardhurave gjatë viteve të fundit duhet parë edhe në dritën e rishikimit të popullsisë pas Censit të vitit 2023. Numri i banorëve rezultoi rreth 2.4 milionë, një rënie nga 2.8 milionë në Censin e vitit 2011. Kjo, për të njëjtën madhësi ekonomie apo konsumi, rrit automatikisht vlerën e treguesve për frymë, duke bërë që një pjesë e përmirësimit të jetë statistikore dhe jo domosdoshmërisht një rritje e mirëqenies reale të individëve.

Shqipëria, përjashtim në rajon

Në vitin 2025, Shqipëria ishte i vetmi vend i rajonit ku çmimet e ushqimeve e kishin kaluar mesataren e BE-së. Serbia shënoi 96.6% të mesatares europiane, Mali i Zi dhe Bosnja-Hercegovina 84.6%, ndërsa Maqedonia e Veriut vetëm 74.3%. Hendeku duket se po zgjerohet, pasi në korrik 2026 çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike në Shqipëri u rritën me 3.2% vjetore, pesë herë më shpejt se mesatarja e BE-së (0.6%). Në të kundërt, në Serbi çmimet e ushqimeve ishin 5.6% më të ulëta se një vit më parë, dhe në Maqedoninë e Veriut 0.3% më të ulëta.

Iluzioni i rritjes së të ardhurave

Edhe pse të ardhurat për frymë janë rritur shpejt dhe Shqipëria renditet e treta në rajon në terma nominalë (11.2 mijë dollarë për frymë në 2025), fuqia reale blerëse mbetet dukshëm më e ulët. Kur korrigjohen sipas çmimeve, Shqipëria zbret në vendin e katërt, me vetëm 23.4 mijë dollarë ndërkombëtarë për frymë, shumë poshtë Maqedonisë së Veriut me 29.7 mijë. Arsyeja kryesore është shtrenjtimi i shpejtë i vendit: niveli i përgjithshëm i çmimeve arriti në 72.6% të mesatares së BE-së, ndërsa çmimet e ushqimeve në 102.9%, duke bërë që rritja e të ardhurave të përkthehet në një fuqi blerëse shumë më të kufizuar.

Scroll to Top