KPP rrëzon ankesën për stacionin hekurudhor të Rinasit, hapet rruga për vijimin e projektit
Komisioni i Prokurimit Publik (KPP) ka rrëzuar ankesën lidhur me tenderin për stacionin hekurudhor të Aeroportit të Rinasit. Ky vendim i hap rrugën Hekurudhës Shqiptare për të vijuar procedurën për kontratën me fond limit 91.7 milionë lekë pa TVSH, ekuivalente me rreth 960 mijë euro.
Objekti i kontratës përfshin dy faza kryesore: hartimin e projektit të detajuar inxhinierik dhe arkitektonik, si dhe ndërtimin e godinës së stacionit. Kjo do të realizohet nën formulën e kontratës “projektim-ndërtim çelësa në dorë”.
Në vendimin e datës 16 shtator, KPP vendosi të “mos pranojë ankesën” e paraqitur nga një operator ekonomik. Si rrjedhojë, “autoriteti kontraktor lejohet të vijojë me hapat e mëtejshëm të procedurës së prokurimit”.
Operatori që ka paraqitur ankesën kishte ofruar 76.6 milionë lekë, por ishte skualifikuar. Ndërkohë, operatori i shpallur fitues paraprak kishte paraqitur një ofertë prej 81.1 milionë lekësh, ndërsa një ofertues tjetër i kualifikuar kishte ofruar rreth 87 milionë lekë.
Mosmarrëveshja ka lindur për mënyrën se si operatori ankimues kishte deklaruar mbështetjen në kapacitetet e subjekteve të tjera për të plotësuar kërkesat për licencat profesionale dhe stafin teknik. KPP vlerësoi se dokumentacioni i paraqitur “nuk plotëson kërkesat e autoritetit kontraktor dhe nuk mund të konsiderohet i vlefshëm”, duke përfunduar se pretendimi i operatorit “nuk qëndron”.
Stacioni hekurudhor do të shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 6,287 metra katrorë, ndërsa godina e tij do të ketë një sipërfaqe rreth 260 metra katrorë. Projekti detajon praninë e sallave të pritjes, sporteleve dhe makinerive automatike për shitjen e biletave, ambienteve të shërbimit, sistemeve të sigurisë dhe hapësirave të parkimit.
Dokumentacioni kërkon gjithashtu që objekti të projektohet si një “stacion i gjelbër”, duke përfshirë eficiencën energjetike, ndriçimin natyral, panelet fotovoltaike dhe sistemet për mbledhjen e ujërave të shiut.
Ky stacion është pjesë e një projekti më të gjerë që synon rehabilitimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e degëzimit drejt Aeroportit “Nënë Tereza”. Projekti përfshin rreth 40 kilometra linjë dhe parashikon një kohë udhëtimi prej rreth 12 minutash mes Tiranës dhe aeroportit, si dhe rreth 22 minutash mes Tiranës dhe Durrësit.
Sipas dokumenteve zyrtare, shërbimi për pasagjerët pritet të nisë në fund të vitit 2027. Megjithatë, duke marrë parasysh ecurinë aktuale, mbetet për t’u parë nëse ky afat do të respektohet.
