Punësimi shtetëror rritet, papunësia rinore shqetëson

Punësimi në sektorin shtetëror shënon rritje për tremujorin e dytë, mbi 186 mijë kontribuues

Numri i të punësuarve në sektorin shtetëror që paguajnë sigurime shoqërore ka arritur në 186.3 mijë, sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga INSTAT për kontribuuesit në skemën e sigurimeve shoqërore.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, punësimi kontribuues në shtet është rritur lehtësisht me 608 persona, ose 0.3%. Megjithatë, ky numër mbetet pak më poshtë se rekordi historik prej 186.6 mijë personash, i cili u arrit në tremujorin e katërt të vitit 2025.

Të dhënat tregojnë se numri i të punësuarve në sektorin shtetëror ka pësuar një rritje të vazhdueshme në periudhën më afatgjatë. Në fund të vitit 2018, numri i kontribuuesve në sektorin shtetëror ishte rreth 172.9 mijë, ndërsa në tremujorin e dytë të këtij viti, ky numër ishte rreth 13.5 mijë persona më i lartë, duke shënuar një rritje prej rreth 7.8%.

Sektori privat vijon të shënojë rritje më të fortë. Në tremujorin e dytë të vitit 2026, numri i të punësuarve kontribuues në sektorin privat arriti në rreth 590 mijë persona, duke u rritur me 2.7% krahasuar me vitin e kaluar.

Në total, të punësuarit kontribuues në sigurimet shoqërore arritën në 776 mijë persona, me një rritje prej 2.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, që përkthehet në një shtim prej 16.2 mijë personash.

Në strukturën e përgjithshme të punësimit kontribuues, sektori privat përbën rreth 76%, ndërsa sektori shtetëror rreth 24%.

Rritja e numrit të të punësuarve në sektorin shtetëror merr një tjetër dimension kur shihet në kontekstin e zhvillimeve të tjera strukturore të vendit. Shqipëria po përballet me një tkurrje të popullsisë, ndërsa pjesa dërrmuese e shërbimeve publike është zhvendosur online. Në të njëjtën kohë, papunësia te të rinjtë është rritur ndjeshëm.

Në një perspektivë afatgjatë, tkurrja dhe plakja e popullsisë pritet të ndryshojnë edhe nevojat për personel publik, veçanërisht në shërbimet që lidhen drejtpërdrejt me numrin e banorëve. Ndërkohë, Shqipëria është ndër vendet që ka përparuar më shumë në digjitalizimin e marrëdhënieve mes qytetarëve dhe administratës.

Komisioni Europian raportoi se 95% e aplikimeve për 1,253 shërbime publike ofroheshin online. Të dhënat e qeverisë për vitin 2026 tregojnë për 1,278 shërbime elektronike dhe miliona dokumente e shërbime të kryera pa kontakt fizik me administratën. Ky proces duhet të ulë nevojën për funksione rutinë administrative në sportele, përpunim manual dokumentesh, shkëmbim shkresash dhe procedura që tashmë realizohen automatikisht.

Qeveria vlerëson se transformimi digjital ka ulur kostot dhe kohën e procedurave administrative. Buxheti i vitit 2026 parashikon fonde të shtuara për digjitalizimin, sigurinë kibernetike, drejtësinë, mbrojtjen dhe pushtetin vendor, si dhe për një sërë ndërmarrjesh shtetërore.

Kontrasti bëhet edhe më i theksuar nga zhvillimet në tregun e punës për të rinjtë. Sipas të dhënave më të fundit nga INSTAT, në tremujorin e dytë të vitit 2026 papunësia për grupmoshën 15-29 vjeç arriti në 17.7%, nga 15.1% një vit më parë. Në të njëjtën kohë, papunësia për të gjithë popullsinë aktive ishte vetëm 8.3%.

Teksa sektori shtetëror arrin nivele historikisht të larta punësimi, ekonomia ende përballet me vështirësi në krijimin e mundësive të mjaftueshme për të rinjtë që hyjnë në tregun e punës.

Scroll to Top