Taksa e re për naftën: Rritje çmimesh dhe barrë fiskale

“`html

Në kulmin e krizës, pritet të shtohet taksë e re për naftën 3 lekë/litër; Efekti 40 mln euro/vit

Në kulmin e krizës së çmimeve, karburanteve pritet t’u shtohen edhe 40 milionë euro të tjera në vit barra fiskale nga vendosja e një tarife të re. Qeveria supozon që niveli i saj të jetë 3 lekë për litër.

Të ardhurat nga tarifa e re për naftën do të përdoren për të financuar krijimin dhe menaxhimin e rezervës së sigurisë me naftë bruto dhe nënprodukte të saj. Por rritja e barrës fiskale te karburantet do të shtrenjtojë më tej çmimin final të shitjes për konsumatorin. Efektet në rritjen e çmimit final të shitjes për konsumatorin, pranohen edhe nga qeveria.

Në relacionin e projektligjit “Për krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e naftës bruto dhe nënprodukteve të saj”, qeveria supozon se nëse niveli i tarifës për rezervën e sigurisë së naftës do të jetë 3 lekë për litër, prej saj do të arkëtojë 3,75 miliardë lekë të ardhura në vit. Të ardhurat do të përdoren për blerjen e naftës rezervë, për të mbuluar kostot e depozitimit etj.

Megjithatë, në relacionin e draftit sqarohet se niveli prej 3 lekë për litër për tarifën është i supozuar, pasi niveli përfundimtar do të miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, sipas propozimeve të ministrive përgjegjëse. Por rezerva parashikohet të krijohet për një periudhë 5-vjeçare, duke e çuar efektin financiar të arkëtimit nga tarifa në vlerën e rreth 200 milionë eurove.

“Me qëllim financimin e krijimit, mbajtjes dhe menaxhimit të rezervave të sigurisë së naftës dhe nënprodukteve të saj, është parashikuar dhe vendosja e një tarife për këtë qëllim. Tarifat e krijimit dhe mbajtjes së rezervës së sigurisë, që aplikohen mbi sasitë e produkteve energjetike hidrokarbure, që i nënshtrohet detyrimit për pagimin e taksës së akcizës, në përputhje me ligjin nr.61/2012, datë 24.5.2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, çdo vit. Të gjitha këto aktivitete do të shoqërohen me kosto shtesë për sektorin publik për mbulimin e shpenzimeve për krijimin, ruajtjen, mirëmbajtjen, inspektimin e rezervave të sigurisë, si dhe për aktivitetet e tjera të rregullta të autoritetit. Sigurimi i fondeve do të kërkojë, ndër të tjera, vendosjen e tarifës që do të aplikohet mbi sasitë e produkteve energjetike hidrokarbure. Kjo do të sjellë rritje të vlerës në zinxhirin e ngarkesës financiare dhe rezultatin final të çmimit të shitjes te konsumatori”, përcaktohet në relacion.

Vendosja e një tjetër tarife te nafta, pritet të rrisë çmimin final të shitjes me pakicë edhe me 3 lekë për litër të tjera. Aktualisht nafta në vend është e ngarkuar më disa taksa dhe tarifa, përfshirë TVSH, akcizë, taksën e qarkullimit, taksë karboni, tarifën e skanimit, taksat bashkiake, tarifën e rilicensimit. Në çmimin final të naftës, barra e taksave zë 53% të atij, apo në vlerë llogaritet të jetë 90 deri në 100 lekë të çmimit final.

Krahasuar me shtetet e rajonit, Shqipëria ka barrën më të lartë fiskale për naftën. Në shtete si Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Kosovë, mbi çmimin e shumicës së naftës llogaritet vetëm akciza dhe TVSH-ja. Nëse produktet e karburanteve do të lehtësoheshin nga barra fiskale, konsumatori vendas do të paguante në të njëjtat vlera që paguajnë vendet e rajonit.

Kostot e krijimit të rezervës arrijnë deri në 42 milionë euro në vit

Volumi i rezervës së sigurisë, sipas të dhënave orientuese, llogaritet në vlerat e 43,6 deri në 49 mijë ton në vit, përfshirë naftën bruto dhe nënproduktet e saj (naftë, benzinë, karburant për avion dhe gaz i lëngshëm). Një nga skenarët e llogaritur nga qeveria është krijimi i rezervës me një sasi prej 43,6 mijë ton karburante. Peshën kryesore do të mbajë nafta bruto, në një sasi prej 17,4 mijë ton. Diesel në sasinë e 13 mijë ton, benzinë 8,720 ton. Në sasi të vogla parashikohet rezerva e gazit të lëngshëm dhe karburantit të avionit.

Qeveria llogarit vetëm për blerjen e karburanteve një kosto prej 39,4 milionë euro në vit dhe 2,6 milionë euro në vit është kostoja e depozitimit. Rezerva e naftës do të menaxhohet nga një Autoritet Shtetëror. Kostoja e ngritjes së autoritetit llogaritet 60 milionë lekë, ndërsa kostoja për funksionimin e autoritetit llogaritet 220 milionë lekë në vit sipas skenarëve të paraqitur në relacion.

Shoqata e Hidrokarbureve më herët ngriti shqetësimin për mënyrën se si qeveria parashikon ta financojë modelin e ri të propozuar për krijimin e sigurisë së naftës. Shoqata e Hidrokarbureve konsideron tarifën për financimin e krijimit të rezervës si një taksë të fshehtë, pasi nuk bëhet fjalë për një shërbim që shteti i ofron kompanive, por për financimin e një detyrimi publik përmes një tarife të vendosur mbi karburantet.

Po ashtu, projektligji i jep kompanisë shtetërore si Autoriteti për Rezervën e Sigurisë së Naftës të drejtën të blejë dhe të shesë naftë pa prokurim publik, pra pa garë. Kjo marrëdhënie është e justifikuar me natyrën specifike të funksionimit të rezervës. E drejta e Autoritetit për të kryer blerje dhe shitje të naftës, pa prokurim publik përcaktohet në një nga pikat e nenit 10 projektligjit “Për krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e rezervave minimale të sigurisë së naftës bruto dhe nënprodukteve të saj”.

Të dhënat për koston:

  • Tarifë orientuese minimale e rezervës: 3 lekë/litër/vit, deri në krijimin e plotë të rezervës (blerje hidrokarbure + depozitim).
  • Pas krijimit do të paguhet vetëm kostoja e depozitimit të rezervës.
  • Të ardhura vjetore të Autoritetit nga tarifa: 3.4– 3.6 -3.75 miliardë lekë/vit.
  • Kjo shumë do të mbulojë plotësisht funksionimin e Autoritetit, sigurimin e rezervave, sikur ato të krijohen për një periudhë prej 5 vjetësh, si dhe parashikon kostot e mbajtjes së depozituar të lëndës.
  • Bazuar edhe në mendimin e Ministrisë së Financave, kostoja fillestare vetëm një herë, do të aplikohet për zhvillim sistemi për arkëtimin e tarifës: 20–30 milionë lekë.
  • Kostoja vjetore, mirëmbajtje vjetore e sistemit: 8–12 milionë lekë.

“`

Scroll to Top