“`html
Sigurimet drejt rregullave të reja, kapital sipas rrezikut dhe mbrojtje më e fortë për konsumatorët
Kërkesat për kapital të shoqërive të sigurimit do të bazohen në profilin e rrezikut të veprimtarisë së tyre, ndërsa shpërndarja e produkteve të sigurimit do t’u nënshtrohet kërkesave të përforcuara për mbrojtjen e konsumatorit. Këto janë dy prej ndryshimeve kryesore që parashikon projektligji “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit”, i prezantuar në takimin e Drejtoreshës së Përgjithshme Ekzekutive të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Adela Xhemali, dhe përfaqësuesve të Bankës Botërore, në një tryezë me drejtues të shoqërive të sigurimit.
Sipas njoftimit zyrtar të AMF-së, projektligji synon përafrimin me kuadrin evropian Solvency II dhe Direktivën për Shpërndarjen e Sigurimeve (IDD).
Në fjalën e saj, Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive vuri theksin te përgatitja e tregut për zbatimin e reformës. “Kjo reformë nuk duhet parë vetëm në dimensionin e përmbushjes së detyrimeve që burojnë nga procesi i integrimit evropian. Për Autoritetin, ajo përbën një mundësi për të forcuar më tej qëndrueshmërinë e tregut të sigurimeve, standardet e qeverisjes, administrimin e rreziqeve, transparencën dhe mbrojtjen e konsumatorëve”, theksoi znj. Xhemali, duke nënvizuar nevojën për angazhim, planifikim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet Autoritetit dhe industrisë së sigurimeve.
Gjatë prezantimit të draft ligjit, z. Timo Broszeit, eksperti i Bankës Botërore, theksoi se Solvency II e vendos qeverisjen korporative në thelb të regjimit të ri. Administrimi i rrezikut duhet të jetë pjesë e vendimmarrjes strategjike të shoqërisë, duke rritur përgjegjësinë e organeve drejtuese për qëndrueshmërinë financiare dhe mbrojtjen e të siguruarve.
Drejtoresha Xhemali vlerësoi mbështetjen e Bankës Botërore, me financim të SECO të qeverisë zvicerane, të cilët kanë asistuar Autoritetin gjatë procesit të hartimit të projektligjit, për ekspertizën dhe kontributin e tyre në përgatitjen e një kuadri ligjor të përafruar me kërkesat evropiane, si dhe kontributin në adresimin e çështjeve që lidhen me zbatimin e tij në kontekstin e tregut shqiptar të sigurimeve.
Përfaqësuesit e tregut të sigurimeve diskutuan mbi pritshmëritë e tyre nga ky proces, shkëmbimin e eksperiencave me shoqëritë që kanë avancuar në këtë drejtim si pjesë e grupeve ndërkombëtare, si dhe angazhimin për mbështetjen e kësaj reforme me fokus tek ngritja e kapaciteteve dhe digjitalizimi.
“`
