Të ardhurat nga Doganat në 8 muajt e parë të vitit arrijnë në rreth 165 miliardë lekë
Të ardhurat e administruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave gjatë 8-mujorit të parë të vitit 2026 arritën në 164.9 miliardë lekë. Kjo shifër paraqet një rritje prej rreth 6.8 miliardë lekësh krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Ky është niveli më i lartë i të ardhurave doganore për një periudhë 8-mujore, duke reflektuar përmirësimin e administrimit doganor, lehtësimin e tregtisë së ligjshme dhe forcimin e kontrolleve për garantimin e konkurrencës së ndershme dhe mbrojtjen e interesave fiskale të shtetit.
FAKTORËT KRYESORË QË KANË NDIKUAR NË RRITJEN E TË ARDHURAVE:
Akciza
Të ardhurat nga akciza janë rritur me rreth 2 miliardë lekë krahasuar me 8-mujorin e vitit 2025. Kontributi kryesor në këtë rritje vjen nga importi i cigareve, me rreth 1.4 miliardë lekë më shumë, i shoqëruar nga rritja e sasisë së importuar dhe e konsumit me rreth 111 tonë.
Rritje të të ardhurave janë regjistruar gjithashtu nga:
- Karburanti i importuar: +258 milionë lekë
- Produkte të tjera: +66 milionë lekë
- Duhani i prodhuar në vend: +41 milionë lekë
- Birra e importuar: +36 milionë lekë
TVSH në import
Të ardhurat nga TVSH-ja në import janë rritur me rreth 4.4 miliardë lekë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Rritja është ndikuar kryesisht nga:
- Karburanti i importuar: +2.5 miliardë lekë
- Veshjet: +673 milionë lekë
- Cigaret: +462 milionë lekë
- Kompjuterë dhe printerë: +304 milionë lekë
Taksa doganore
Të ardhurat nga taksat doganore janë rritur me rreth 568 milionë lekë. Ndër kategoritë që kanë dhënë kontributin kryesor janë:
- Veshje, këpucë dhe artikuj të tjerë: +136 milionë lekë
- Metalet bazë: +74 milionë lekë
- Produkte të tjera: +64 milionë lekë
Rezultatet e 8-mujorit dëshmojnë vijimin e performancës pozitive të të ardhurave doganore. Administrata Doganore vijon të kombinojë lehtësimin e procedurave për biznesin me forcimin e kontrollit dhe luftën ndaj informalitetit, në funksion të një tregu më të rregullt dhe konkurrencës së ndershme.
