105-vjeçari hetohet për krime naziste, dyshohet se ishte roje në kampin e të burgosurve të luftës
Prokuroria gjermane ka nisur hetimet ndaj një 105-vjeçari, i dyshuar për bashkëpunim në vrasjen e disa të burgosurve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai akuzohet se ka shërbyer si roje në kampin nazist të të burgosurve të luftës, Stalag 326 VI K, në Senne të Gjermanisë veriperëndimore.
Lajmin e bëri të ditur prokurorja e Dortmundit, Sonja Frodermann, duke theksuar se hetimi ndaj të moshuarit është ende në zhvillim. Një rast i ngjashëm ishte hapur më parë edhe ndaj një ish-roje tjetër të kampit në Senne, por ai i dyshuari vdiq disa muaj më parë në moshën 99-vjeçare. Autoritetet gjermane nuk kanë dhënë detaje të tjera mbi identitetin e dy ish-rojeve.
Këto raste nxjerrin në pah sfidat me të cilat përballen prokurorët gjermanë në përpjekjet për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimet e kryera gjatë regjimit nazist. Shumica e të dyshuarve të mbetur janë tashmë në moshë shumë të avancuar ose kanë ndërruar jetë.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, më shumë se 5.3 milionë sovjetikë u zunë robër nga Gjermania naziste. Besohet se rreth gjysma e tyre humbën jetën në robëri. Kampim Stalag në Senne ishte një nga kampet më të mëdha të këtij lloji. Sipas memorialit të kampit, një në tre robër sovjetikë që hynin në Gjermaninë naziste gjatë viteve 1941-1945 kalonin nëpër kompleksin në Senne. Shumë prej tyre më pas detyroheshin të punonin në kushte të vështira në rajon.
Kushtet e jetesës në kamp ishin katastrofike, ku të burgosurit përballeshin me keqtrajtime, uri dhe kequshqyerje. Në Senne u regjistruan rreth 180 mijë deri në 200 mijë robër, shumë prej të cilëve vdiqën dhe dhjetëra mijëra u varrosën në këtë zonë. Në kamp mbaheshin gjithashtu robër nga Franca, Polonia, Serbia dhe Belgjika.
Në Gjermani nuk ka parashkrim për veprën penale të vrasjes apo bashkëpunimit në vrasje që prej vitit 1979, një ndryshim që ka mundësuar ndjekjen penale të krimeve të epokës naziste edhe dekada më vonë.
Edhe një tjetër ish-roje kampi, tashmë mbi 100 vjeç, raportohet se po hetohet për aktivitetin e tij në kampin Stalag VI A në Hemer. Megjithatë, ndjekja penale e autorëve të dyshuar më shumë se 80 vjet pas përfundimit të luftës mbetet jashtëzakonisht e vështirë.
Katër vite më parë, një ish-roje 101-vjeçar i kampit të përqendrimit Sachsenhausen u dënua me pesë vite burg për bashkëpunim në vrasje. Josef Schutz, i konsideruar personi më i moshuar i dënuar ndonjëherë për krime naziste, nuk e vuajti dënimin dhe vdiq në vitin 2023, ndërsa apelonte vendimin. Në vitin 2022, një ish-sekretare e një kampi nazist përqendrimi u shpall fajtore për ndihmë në vrasje dhe u dënua me një masë të pezulluar. Ajo vdiq vitin e kaluar në moshën 99-vjeçare.
Hetimet për krimet naziste në Gjermani zhvillohen nga prokuroritë publike, ndërsa rastet fillimisht trajtohen nga Zyra Qendrore për Hetimin e Krimeve Naziste në Ludwigsburg.
