Tragjedi në Gaza: Dy rezervistë izraelitë humbin jetën nga shpërthimi i një droni
Dy rezervistë të ushtrisë izraelite humbën jetën të enjten në Rripin verior të Gazës, pas rrëzimit dhe shpërthimit të një droni të vogël që ata po kontrollonin, i cili mbante eksplozivë. Shkaqet e rrëzimit të dronit mbeten ende të panjohura.
Ushtria izraelite (IDF) njoftoi se viktimat janë rreshteri rezervist Nadav Kali, 24 vjeç, nga Har Haluch, dhe rreshteri rezervist Ofek Moalem, 23 vjeç, nga Jerusalemi. Të dy shërbenin në Batalionin 7007 të Brigadës së Jerusalemit.
Sipas një hetimi paraprak të IDF-së, dy ushtarët po operonin dronë të tipit FPV, të njohur në ushtrinë izraelite si “Atalef”, nga një post ushtarak i vendosur brenda zonës tampon të sigurisë në veri të Gazës. Njëri prej dronëve kishte përfunduar me sukses misionin e tij të parë.
Më pas, gjatë përgatitjes për një mision të dytë, një tjetër dron u rrëzua në territorin e postës ushtarake për arsye ende të pacaktuara. Sipas gjetjeve fillestare, dy rezervistët shkuan në vendngjarje disa minuta më vonë për të kontrolluar dronin e dëmtuar. Gjatë inspektimit, pajisja shpërtheu, duke i plagosur rëndë të dy ushtarët.
Ata u transportuan menjëherë në spitalin Barzilai në Ashkelon, ku u konfirmua vdekja e tyre. IDF ka nisur një hetim të plotë për të përcaktuar shkaqet e saktë të rrëzimit të dronit dhe shpërthimit të tij. Deri në përfundimin e hetimeve, ushtria izraelite ka pezulluar përkohësisht përdorimin e dronëve të vegjël që mund të mbajnë eksplozivë, përfshirë dronët vetëvrasës dhe ata që përdoren për hedhjen e eksplozivëve mbi objektiva.
