Putin në pozicion të vështirë, Rutte qetëson aleatët e NATO-s pas raporteve për kërcënime: “Kemi të gjitha mundësitë e reagimit”
NATO është e përgatitur t’i përgjigjet incidenteve të sabotimit dhe sulmeve me dronë në të gjithë Evropën dhe ka plane konkrete për t’u përballur me kërcënime të tilla, deklaroi të enjten Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.
“Rusia po intensifikon veprimtarinë e saj, veçanërisht në fushën kibernetike, por NATO është e gatshme për këtë”, theksoi Rutte gjatë një aktiviteti në Nju Jork, ku u përkujtuan sulmet e 11 shtatorit 2001 kundër Shteteve të Bashkuara.
“Ne kemi të gjitha këto mundësi reagimi në dispozicion… përballë veprimeve hibride, për t’u siguruar që të mbetemi të fortë”, shtoi ai.
Rutte argumentoi se numri në rritje i incidenteve hibride në vendet e NATO-s tregonte se Presidenti rus Vladimir Putin po e humbiste luftën në Ukrainë, e cila aktualisht ndodhet në vitin e pestë.
“Putini është në një pozicion të keq”, tha Rutte, duke shtuar se Rusia nuk po fiton luftën në Ukrainë dhe se qytetarët e 32 vendeve të NATO-s mund të qëndrojnë të qetë.
Ai u bëri thirrje anëtarëve të NATO-s të ofrojnë “më shumë mbështetje për Ukrainën” nëse “duan vërtet t’u japin një sinjal rusëve për çdo incident, sulm hibrid”.
“Të gjitha opsionet e reagimit janë aty dhe ne do të përdorim çfarëdo që të na duhet”, nënvizoi Rutte.
Komentet e tij erdhën pas një paralajmërimi nga inteligjenca daneze të enjten, e cila ngriti shqetësime për një rrezik në rritje të veprimeve ushtarake ruse kundër vendeve të NATO-s, përfshirë sulme të mëtejshme hibride. Në të njëjtën kohë, mediat spanjolle raportuan se inteligjenca amerikane kishte njoftuar vendet evropiane për një operacion të mundshëm rus me dron, i cili mund të synonte Spanjën, Francën ose Italinë.
Ndërkohë, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, theksoi të enjten se aleatët evropianë duhet të marrin përsipër udhëheqjen në mbrojtjen e kontinentit të tyre, duke kërkuar që NATO të bëhet një “aleancë ushtarake e vërtetë, e përkushtuar ndaj mbrojtjes”.
Duke folur në një takim të ministrave të mbrojtjes të NATO-s, Hegseth propozoi një koncept të ri, “NATO 3.0”, të përqendruar në forcimin e aftësive ushtarake dhe parandalimin e kërcënimeve në Evropë.
Komentet e tij erdhën disa javë pasi Uashingtoni njoftoi aleatët e tij se nuk do të ofronte më anije dhe avionë të caktuar në rast të një sulmi ndaj një anëtari të NATO-s. Aleatët evropianë dhe Kanadaja po vlerësojnë se si të adresojnë boshllëqet e mundshme në aftësi.
“NATO 3.0 është një njohje pas Luftës së Ftohtë se (NATO) duhet të kthehet në një aleancë ushtarake të vërtetë, të fortë, që posedon aftësi ushtarake reale, të afta për të penguar kërcënimet pikërisht këtu në kontinent dhe për të marrë drejtimin në mbrojtjen konvencionale të Evropës”, deklaroi Hegseth.
Sipas Nenit 5 të traktatit themelues të NATO-s, një sulm ndaj një anëtari konsiderohet sulm ndaj të gjithëve. Megjithatë, kjo dispozitë nuk kërkon automatikisht që aleatët të ofrojnë ndihmë ushtarake.
SHBA-të, të cilat disponojnë forcat e armatosura më të mëdha të NATO-s, po kërkojnë të zvogëlojnë rolin e tyre në mbrojtjen konvencionale të Evropës. Ata nuk planifikojnë të tërheqin armët e tyre bërthamore të stacionuara në Evropë, të cilat mbeten një element qendror i strategjisë së parandalimit të NATO-s.
