Nga birra artizanale te pijet freskuese, startup-et po investojnë edhe në prodhim
Rritja e kërkesës, veçanërisht nga turistët vendas, për pije freskuese organike po nxit të rinjtë të krijojnë startup-e të reja, që prodhojnë produkte konsumi “Made in Albania”. Sokol Nasi, i cili ka pasur eksperiencë në ngritjen e punishtes për prodhimin e birrës artizanale “Pan’s Microbrewery”, e shfrytëzoi këtë përvojë për të zhvilluar një tjetër sipërmarrje të re, të përqendruar në prodhimin e pijeve vendase. Ky projekt i ri bën fjalë për “Iced Tea”, çajin e ftohtë me mjaltë, një pije freskuese që synon të sjellë në një formë moderne një nga produktet më tradicionale shqiptare, çajin e malit.
Projekti për ngritjen e kësaj sipërmarrjeje të re mori mbështetje përmes programit “Start Up Albania”, të financuar nga qeveria shqiptare, përmes Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, pas disa vitesh aplikimesh dhe përpjekjesh për financimin e zhvillimit të biznesit. Sipas z. Nasi, mbështetja nëpërmjet fondeve grant të programit “Start Up Albania” i krijoi mundësinë që ideja e tij të zhvillohej, të testohej dhe të dilte në treg.
Përveç punishtes për prodhimin e birrës artizanale vendase, Nasi thekson se sipërmarrja e re synon të zgjerojë aktivitetin edhe me pije joalkoolike, duke vendosur në qendër lëndët e para shqiptare dhe përshtatjen e tyre me kërkesat e reja të tregut.
“Pas disa vitesh në prodhimin e birrës artizanale, ideja ishte të krijohej një produkt joalkoolik që të ndiqte të njëjtën filozofi. Zgjedhja ishte çaji i malit me mjaltë, një kombinim tradicional që tashmë po përshtatet me mënyrën moderne të konsumit. Ne thjesht pyetëm veten: pse duhet të mbetet vetëm një pije dimri? Kështu nisi ideja e një çaji mali të ftohtë me mjaltë, të prodhuar me lëndë të para organike dhe shqiptare,” pohon z. Nasi.
Receta, thekson ndër të tjera ai, është mbajtur e thjeshtë. Në vend të sheqerit të rafinuar përdoret mjaltë i përzgjedhur në një sasi të kontrolluar, me synimin që ëmbëlsia të plotësojë shijen e çajit dhe jo ta mbulojë atë.
Një alternativë për fëmijët dhe konsumatorët që nuk konsumojnë alkool
Ndryshe nga birra artizanale, e cila i drejtohet kryesisht një publiku të rritur që konsumon alkool, pija freskuese “Iced Tea” me përbërës natyralë synon një grup më të gjerë konsumatorësh, përfshirë edhe fëmijët e vegjël.
“Nuk donim thjesht një tjetër soft drink, por diçka që do ta zgjidhnim edhe vetë në momentet kur nuk donim birrë. ‘Iced Tea’ synon të jetë një alternativë për personat që nuk konsumojnë alkool, për ata që zgjedhin të mos e konsumojnë në një moment të caktuar, por edhe për familjet dhe veçanërisht për fëmijët,” thotë ai.
Për sipërmarrësin, sfida është krijimi i një pijeje që të jetë më pranë produkteve natyrale shqiptare dhe njëkohësisht t’i përshtatet kërkesave të konsumatorit të sotëm. Përtej produktit, sipërmarrësit synojnë që konsumatori të ketë mundësi të njohë edhe origjinën e lëndëve të para. Një nga idetë e projektit është pajisja e çdo paketimi me një kod QR, përmes të cilit konsumatori mund të zbulojë zonën nga vjen çaji, llojin e mjaltit të përdorur dhe prodhuesit që qëndrojnë pas produktit. Kjo qasje synon ta lidhë produktin jo vetëm me shijen, por edhe me historinë dhe origjinën e tij.
“Sepse pas një produkti organik ka tokë, klimë, stinë dhe njerëz. Dhe ne duam që konsumatori ta dijë këtë,” thotë Nasi.
Çaji i malit me mjaltë është vetëm produkti i parë i kësaj linje. Synimi është që gama të zgjerohet gradualisht me produkte të tjera të bazuara në lëndë të para shqiptare, receta të thjeshta dhe mënyra bashkëkohore prodhimi.
Qeveria për 2026 dyfishoi fondet për programin e Start up-ve
Përmes Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, për zhvillimin e sipërmarrjeve të reja, për vitin 2026 qeveria vendosi në dispozicion të programit “Start Up Albania” 600 milionë lekë, fonde nga 300 milionë lekë që ishte fondi i granteve për vitin 2025. Fondet grant nga të rinjtë mund të përfitohen përmes aplikimeve në programin “Start Up Albania”.
Deri në fund të muajit gusht, sipas të dhënave të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, u paraqitën 1,179 aplikime nga startup-e në të gjithë vendin. Krahasuar me thirrjen e kaluar, vihet re një rritje e ndjeshme e numrit të përfituesve nga qytetet jashtë Tiranës, veçanërisht në Vlorë, me 8 startup-e, dhe në Shkodër, me 7. Për herë të parë, qarqet Berat dhe Kukës janë pjesë e hartës së startup-eve të financuara, duke dëshmuar shtrirjen e ekosistemit të startup-eve në të gjithë vendin.
Startup-et e mbështetura përfaqësojnë sektorë strategjikë për zhvillimin e ekonomisë shqiptare, nga Teknologjia e Informacionit dhe Inteligjenca Artificiale (AI), te Mjedisi, Energjia, Agrobiznesi, Turizmi dhe zgjidhjet digjitale.
