Shqipëria: Rritje emetimesh metani nga mbetjet, bujqësia kryesore

Shqipëria emetoi 72 mijë tonë metan, mbetjet u dyfishuan krahasuar me vitin 1990

Shqipëria emetoi 72.16 mijë tonë metan në vitin 2022, që i bie rreth 2 milionë tonë ekuivalent dioksid karboni, sipas një raporti të ri të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, i publikuar në shtator 2026. Në krahasim me vitin 1990, emetimet e metanit nga tre sektorët kryesorë kanë shënuar një rënie prej 11%. Raporti mbi emetimet e metanit nga Palët Kontraktuese të Komunitetit të Energjisë bazohet në inventarët kombëtarë të gazeve serrë, të dorëzuar pranë Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike.

Bujqësia, burimi kryesor i emetimeve të metanit

Bujqësia ka qenë burimi më i madh i emetimeve të metanit në Shqipëri. Në vitin 2022, emetimet nga ky sektor arritën në 40.41 mijë tonë, krahasuar me 46.94 mijë tonë në vitin 2020. Këto emetime lidhen me proceset e fermentimit enterik të kafshëve, menaxhimin e plehut organik dhe djegien e mbetjeve bujqësore. Raporti rendit Shqipërinë dhe Malin e Zi si vendet ku bujqësia përbën burimin kryesor të emetimeve të metanit.

Rritja e emetimeve nga mbetjet

Ndërkohë, emetimet nga sektori i mbetjeve pothuajse u dyfishuan krahasuar me fillimin e periudhës së analizuar. Ato u rritën nga 15.84 mijë tonë në vitin 1990 në 30.15 mijë tonë në vitin 2022. Raporti lidh këtë rritje me shtimin e depozitimit të mbetjeve të ngurta. Nga ana tjetër, emetimet nga trajtimi dhe shkarkimi i ujërave të ndotura u përgjysmuan, ndërsa kontributi nga djegia e hapur e mbetjeve ra në minimum.

Emetimet nga nafta dhe gazi

Emetimet nga sektori i naftës dhe gazit ishin dukshëm më të ulëta. Në vitin 2022 ato arritën në 1.55 mijë tonë, duke shënuar një rënie prej 65.4% krahasuar me vitin 1990 dhe 17% krahasuar me vitin 2020. Ky vlerësim përfshin kërkimin, prodhimin, grumbullimin, përpunimin, transmetimin, rafinimin, magazinimin, çlirimin dhe djegien e gazit në flakë. Shpërndarja dhe puset e braktisura nuk janë përfshirë në analizë.

Raporti vlerëson rezervat e rikuperueshme të naftës në Shqipëri në 120 milionë fuçi dhe ato të gazit natyror në 5.7 miliardë metra kub. Prodhimi i gazit është i kufizuar dhe vendi nuk disponon një rrjet transmetimi apo shpërndarjeje, përveç Gazsjellësit Transadriatik (TAP), i cili kalon nëpër Shqipëri dhe transporton gaz azer drejt Italisë.

Emetimet nga qymyri dhe angazhimet ndërkombëtare

Emetimet e metanit nga qymyri ishin vetëm 0.05 mijë tonë në vitin 2022, duke shënuar një rënie prej 91.31% krahasuar me vitin 1990, por një rritje prej 25% krahasuar me vitin 2020. Shqipëria është pjesë e Angazhimit Global për Metanin, i cili synon uljen kolektive të emetimeve globale të këtij gazi me të paktën 30% nga niveli i vitit 2020 deri në vitin 2030. Ajo gjithashtu merr pjesë në Nismën Globale për Metanin.

Megjithëse raporti u publikua në shtator 2026, të dhënat e emetimeve për Shqipërinë i përkasin vitit 2022. Për Malin e Zi dhe Ukrainën janë përdorur të dhëna të vitit 2021, për Serbinë të vitit 2023, ndërsa për vendet e tjera të përfshira në analizë, të dhënat janë të vitit 2022.

Scroll to Top