Rimbursimi i TVSH-së shënon rënie vjetore me 33% në tetë muaj, duke sjellë 4.7 miliardë lekë më pak për bizneset
Rimbursimet e TVSH-së për bizneset kanë shënuar një rënie të ndjeshme gjatë tetë muajve të vitit 2026, duke zbritur me gati një të tretën në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Nga janari deri në gusht 2026, janë rimbursuar gjithsej 9.6 miliardë lekë, duke shënuar një rënie vjetore prej 32.7%.
Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave konfirmojnë se në të njëjtën kohë, të ardhurat neto nga TVSH-ja në vend arritën vlerën e 56.8 miliardë lekëve në periudhën tetëmujore, duke u rritur me 24.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Një pjesë e kësaj rritjeje të të ardhurave neto lidhet matematikisht me nivelin më të ulët të rimbursimeve. Diferenca prej 4.7 miliardë lekësh në rimbursime përfaqëson rreth 42% të shtesës prej 11.1 miliardë lekësh të të ardhurave neto nga TVSH-ja krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, të ardhurat nga TVSH-ja bruto (totale) janë rritur me vetëm 6.6% me bazë vjetore në tetë muaj.
Rënia e rimbursimeve është shpërndarë pothuajse në të gjithë muajt, me përjashtim të prillit, kur bizneset morën 2.76 miliardë lekë, ose 938 milionë lekë më shumë se në prillin e vitit 2025. Diferenca më e fortë u regjistrua në qershor, ku u rimbursuan rreth 2 miliardë lekë, ndërsa një vit më parë shifra ishte 4.28 miliardë lekë, një rënie prej 52.5%.
Një nga faktorët që ka ndikuar është edhe efekti i bazës së lartë të vitit të kaluar, kur në disa muaj u kryen pagesa të mëdha rimbursimesh. Për shembull, në korrik 2025 rimbursimet ishin 1.84 miliardë lekë, kundrejt vetëm 843 milionë lekëve në korrikun e këtij viti.
Një tjetër faktor lidhet me volumin dhe kohën e paraqitjes së kërkesave nga bizneset. Rimbursimi nuk kryhet automatikisht mbi bazën e xhiros së ekonomisë, por lidhet me krijimin e tepricës kreditore të TVSH-së dhe me kërkesat që bizneset paraqesin për kthimin e saj.
Sipas administratës tatimore, bizneset jo-eksportuese mund të kërkojnë rimbursim kur kanë një tepricë të TVSH-së së zbritshme mbi 400 mijë lekë të mbartur për tre periudha radhazi. Për eksportuesit zbatohen procedura të veçanta, me afate rimbursimi që mund të jenë 30 ditë, ndërsa për kategori të tjera afati arrin deri në 60 ditë.
Rrjedhimisht, rimbursimet mujore mund të luhaten edhe nga koha kur bizneset krijojnë kredinë e TVSH-së, paraqesin kërkesën dhe përfundojnë procedurat e verifikimit. Kërkesat i nënshtrohen analizës së riskut dhe, në raste të caktuara, edhe kontrollit tatimor përpara miratimit.
Gjithashtu, sektorët kryesorë të eksportit po përballen me vështirësi. Fabrikat fason, të cilët janë përfituesit kryesorë, kanë ulur ritmet e investimeve dhe të eksporteve.
