Pasqyra e Çmimeve, gati Tetor me 160 produkte

Ibrahimaj: “Pasqyra e Çmimeve” do të jetë gati në tetor me 160 produkte

Platforma “Pasqyra e Çmimeve” pritet të jetë në internet brenda 10-ditëshit të parë të tetorit, duke përfshirë fillimisht 160 produkte.

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, deklaroi se po bëhet koordinimi me rrjetet kryesore të marketeve për listën përfundimtare të produkteve që do të jenë të pranishme në platformë.

Sipas Ibrahimajt, lista do të përbëhet nga produktet kryesore të shportës, ushqimet dhe mallrat që përdoren më së shumti nga familjet shqiptare.

“Sa i përket Pasqyrës, është një nismë e re që kemi ndërmarrë. Ne jemi duke punuar për të ndërtuar platformën, e cila është në fazat përfundimtare të përgatitjes. Ne presim që në 10-ditëshin e parë të tetorit platforma të jetë live me një numër prej 160 produktesh. Jemi duke koordinuar me marketet kryesore listën finale të produkteve, e cila do të përbëhet nga produktet kryesore të shportës, ushqime dhe mallra që përdoren më së shumti nga familjet shqiptare”, tha Ibrahimaj.

Krahas “Pasqyrës së Çmimeve”, ministrja bëri të ditur se po punohet me rrjetet e supermarketeve dhe furnitorët edhe për një listë produktesh që do të tregtohen për tre muaj me çmime fikse dhe me fitim minimal.

Scroll to Top