ISUV zgjeron testet laboratorike për siguri ushqimore

Ministri Salla: ISUV zgjeron me 354 teste laboratorike për sigurinë ushqimore

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ka njoftuar sot zgjerimin e gamës së akredituar të Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV) me 354 teste të reja.

Pas përfundimit të suksesshëm dhe pa asnjë jokonformitet të procesit të vlerësimit nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit, ISUV arrin në gjithsej 2,299 teste laboratorike të akredituara sipas standardit ndërkombëtar ISO 17025:2017.

“Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë përfundoi me sukses procesin e vlerësimit për mirëmbajtjen e akreditimit të 1,945 testeve laboratorike dhe zgjerimin e tij me 354 teste të reja, sipas standardit ndërkombëtar ISO 17025:2017”, u shpreh Ministri Salla.

Ky zgjerim i akreditimit forcon kapacitetet laboratorike në disa fusha kyçe të kontrollit, duke përfshirë:

  • Shëndetin e kafshëve
  • Mbetjet e medikamenteve veterinare në produktet me origjinë shtazore
  • Mikrobiologjinë ushqimore
  • Vlerësimin e cilësisë së ushqimeve
  • Kontrollet për pesticide
  • Kontrollet për aflatoksina
  • Kontrollet për cilësinë e vajit të ullirit

“Me zgjerimin e akreditimit, rrisim kapacitetet për të kontrolluar më mirë sigurinë dhe cilësinë e ushqimeve, shëndetin e kafshëve, mbetjet e medikamenteve veterinare, pesticidet, aflatoksinat, mikrobiologjinë ushqimore, por edhe cilësinë e vajit të ullirit”, theksoi Salla.

Rritja e numrit të testeve të akredituara sjell përfitime të shumta, duke përfshirë më shumë analiza sipas standardeve europiane, rezultate më të besueshme dhe forcim të kontrolleve përgjatë gjithë zinxhirit agro-ushqimor.

“Kjo do të thotë më shumë analiza sipas standardeve europiane, rezultate të besueshme dhe kontrolle më të forta përgjatë zinxhirit agro-ushqimor, nga ferma deri në tryezë. Një tjetër hap konkret edhe në përmbushjen e detyrimeve të Kapitullit 12, ndërsa Shqipëria ecën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian”, u shpreh Ministri.

Zgjerimi i akreditimit gjithashtu kontribuon në forcimin e sistemit kombëtar të kontrollit dhe monitorimit, duke rritur besueshmërinë e rezultateve laboratorike të ISUV. Kjo është në funksion të mbrojtjes së konsumatorit dhe përafrimit me standardet europiane.

“Siguria ushqimore nuk është vetëm një standard që duhet përmbushur, por një garanci që duhet t’ua japim çdo ditë qytetarëve dhe konsumatorëve”, përfundoi Ministri Salla.

Scroll to Top