Kredia për biznesin u ngadalësua në gusht, ndërsa financimi i individëve “iu përshpejtua”
Kredia e re për ekonominë shënoi një rënie të lehtë gjatë muajit gusht. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, volumi i kreditimit gjatë gushtit arriti në 40.4 miliardë lekë, duke u ulur 0.7% krahasuar me gushtin e vitit të kaluar. Pavarësisht kësaj rënieje të lehtë, shifrat progresive të kreditimit për vitin 2026 mbeten në rritje dhe arrijnë nivele historikisht të larta.
Për tetëmujorin e vitit 2026, kredia e re e dhënë për ekonominë shqiptare ka arritur vlerën e 301.5 miliardë lekëve, duke shënuar një rritje prej 10.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Gjatë muajit gusht, u vu re një ngadalësim në kreditimin e bizneseve, ndërkohë që kredia për individët vijoi tendencën pozitive të rritjes. Në gusht, sektori bankar dha gjithsej 28.2 miliardë lekë kredi për biznesin, duke u ulur 8.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo rënie te bizneset u ndikua pjesërisht edhe nga kursi i këmbimit, pasi në këtë segment kredia në valutë të huaj ka një peshë specifike më të lartë. Megjithatë, për të gjithë tetëmujorin, kredia e re për biznesin mbetet në rritje. Sektori bankar deri tani ka dhënë mbi 201 miliardë lekë kredi të reja për bizneset, duke u rritur me 10.4% vjetore.
Kredia e re për individët në gusht vijoi rritjen e qëndrueshme, në përputhje me tendencën pozitive të viteve të fundit. Kredia e re kishte vlerën e 11.4 miliardë lekëve, duke u rritur me 29.3% krahasuar me gushtin e vitit të kaluar. Edhe për tetëmujorin, kredia e re mbetet në rritje të ndjeshme, duke arritur vlerën e 98.8 miliardë lekëve, me një rritje prej 15% krahasuar me një vit më parë.
Kreditimi i individëve është mbështetur nga një rritje paralele në dy segmentet kryesore: blerjet e pasurive të paluajtshme dhe financimi i konsumit. Pas një frenimi në muajt e parë të vitit, kredia për shtëpi i është kthyer rritjes dhe për tetëmujorin e vitit 2026 arriti vlerën e 47.3 miliardë lekëve, duke u rritur me 4.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Pavarësisht paketës së masave shtrënguese të Bankës së Shqipërisë, bankat po vazhdojnë të rrisin financimin për blerjen e banesave nga familjet. Ndërkohë, kredia e re konsumatore për tetëmujorin ka arritur në gati 52 miliardë lekë, duke u rritur me 27% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në fund të muajit gusht, edhe portofoli total i kredisë për ekonominë, i shprehur si tepricë, vijoi rritjen. Ai kishte vlerën e 1 trilion e 7 miliardë lekëve, duke u zgjeruar me rreth gjashtë miliardë lekë krahasuar me korrikun. Me bazë vjetore, kredia ruan rritjen dyshifrore, duke qenë 11.8% më e lartë krahasuar me gushtin e vitit 2025. Rritja është më e lartë në segmentin e individëve, ku portofoli ka arritur vlerën e 426.6 miliardë lekëve, duke u rritur me 17.2% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, në segmentin e biznesit, vlera e portofolit të kredisë arriti në 490.4 miliardë lekë, duke u rritur me 10.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Burimi: Banka e Shqipërisë
