Doganat nisur hetime për skemën “tax free” në BE

Kujdes me skemën “tax free” në BE: Doganat nisin verifikime për TVSH-në në import

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka nisur një proces verifikimi në bashkëpunim me administratën doganore italiane (ADM) dhe institucionet e tjera ligjzbatuese në vend. Ky veprim synon rritjen e efikasitetit të bashkëpunimit përmes shkëmbimit të informacionit dhe zbatimit të ligjit.

Ky hetim intensifikon bashkëpunimin me autoritetet italiane për shkëmbimin e informacionit mbi transaksione të dyshimta. Pas analizës së riskut, janë identifikuar një numër i konsiderueshëm kërkesash për rimbursim të TVSH-së dhe transaksione të kryera nëpërmjet skemave “tax free” gjatë periudhës janar 2022 – korrik 2025.

Analiza e detajuar e të dhënave ka nxjerrë në pah:

  • Një frekuencë të lartë të transaksioneve.
  • Mungesën e burimeve të ligjshme të të ardhurave për të justifikuar blerjet.
  • Mospërputhje në destinacionin e mallrave.

Volumi i lartë i faturave (mesatarisht rreth 13 në muaj për rast, me grupime deri në 9-11 fatura brenda një dite) i bën këto transaksione të dyshimta për përdorim personal.

Konkretisht, hetimi fokusohet te mbi 1,000 faturime individuale, të ndara në dy raste, me një vlerë totale rreth dy milionë euro (rreth 988,684 euro për rastin e parë dhe 1,033,338 euro për rastin e dytë).

Meqë dyshohet se modus operandi përfshin blerjen e mallrave në Itali, deklarimin për përdorim personal për përfitimin e rimbursimit të TVSH-së, dhe më pas futurjen e një pjese të këtyre mallrave në Shqipëri si kontrabandë për qëllime tregtare, pa kryer procedurat e detyrueshme të importit.

Materialet paraprake dhe gjetjet e këtyre hetimeve i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave thekson vendosmërinë e saj për të bashkëpunuar ngushtë me autoritetet homologe ndërkombëtare dhe institucionet ligjzbatuese, duke synuar mbrojtjen e interesave financiare dhe luftimin e çdo forme evazioni apo paligjshmërie.

Scroll to Top