Tragjedi në metronë e Nju Jorkut: 57-vjeçari humbi jetën pasi çanta i ngeci në dyert e trenit
Një 57-vjeçar ka humbur jetën në mënyrë tragjike në metronë e Nju Jorkut, pasi çanta e tij ngeci mes dyerve të trenit, duke shkaktuar rënien e tij mbi shina.
Ngjarja e rëndë ndodhi të hënën pasdite në stacionin Utica Avenue, në lagjen Bedford-Stuyvesant të Brooklynit. Viktima po zbriste nga një tren të linjës A, i cili po udhëtonte drejt Manhattanit, kur çanta që mbante me vete u bllokua në mes të dyerve të mbyllura.
Teksa treni nisi të lëvizë, çanta u tërhoq papritur dhe burri humbi ekuilibrin, duke përfunduar mbi shinat. Autoritetet, të cituara nga ABC7, konfirmuan se pasagjeri u gjet pa ndjenja në shinat veriore të stacionit.
Policia e Nju Jorkut mori njoftimin për incidentin rreth orës 18:05 me orën lokale. Viktima u identifikua si Yau Boahene, 57 vjeç, banues në Brooklyn.
Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të ekipeve të emergjencës të mbërritura në vendngjarje, 57-vjeçari u shpall i vdekur. Zyra e Mjekut Ligjor të Nju Jorkut pritet të përcaktojë shkakun zyrtar të vdekjes, ndërsa policia vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit.
Dëshmitarët okularë përshkruan një atmosferë paniku mes pasagjerëve pas këtij incidenti.
Ky rast vjen pas një tjetër incidenti të ngjashëm të regjistruar në vitin 2022, ku një burrë humbi jetën pasi rrobat iu ngecën në dyert e një treni të linjës 1, në stacionin Columbus Circle.
Sipas Autoritetit Metropolitan të Transportit (MTA), aksidentet me pasagjerë në metro u rritën me 2% gjatë vitit 2025. Megjithatë, për shkak të rritjes më të madhe të numrit të udhëtarëve, shkalla e aksidenteve për pasagjer ra me 4.7%. MTA thekson se vijon të zbatojë masa për rritjen e sigurisë dhe parandalimin e incidenteve të ngjashme në sistemin e metrosë.
