Shqipëria ka mbërritur në Nish për ndeshjen kundër Serbisë, e vlefshme për kualifikuese të Botërorit. Autoritetet serbe kanë marrë masa të shumta për të garantuar qetësinë gjatë zhvillimit të ndeshjes.
Gjatë ditëve të fundit janë shënuar disa incidente, si vendosja e flamurit shqiptar në stadium, si dhe pretendime se shqiptarë po tentojnë të shesin flamuj e fanella, pavarësisht se nuk do të ketë tifozë shqiptarë në Serbi.
Një shqetësim tjetër për palën serbe lidhet me blerjen e biletave nga shqiptarët që posedojnë pasaporta serbe. Kjo veprimtari, sipas tyre, mund të sjellë probleme për sigurinë e ndeshjes, pasi çdo incident nga tifozët do t’i faturohet palës serbe, edhe nëse në tribuna ndodhen shqiptarë.
Shqiptarë të shumtë, banorë të Kosovës, Luginës së Preshevës, Bujanocit, Nishit dhe Leskovacit, duke shfrytëzuar pasaportën serbe, mund të kenë mundësi të marrin pjesë në stadium.
