Kreu i Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), Altin Dumani, ka deklaruar se çështja e njohur si “McGonigal” ndodhet në fazën e hetimit paraprak.
Në një deklaratë për mediat gjatë një takimi në Komisionin e Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë, zoti Dumani, i pyetur nga deputeti demokrat Ivi Kaso, sqaroi se lidhur me këtë çështje janë kryer hetime të thelluara brenda vendit.
Ai gjithashtu shtoi se aktualisht po pritet një përgjigje nga autoritetet e huaja, veçanërisht nga pala amerikane, përsa i përket ndihmës juridike. Zoti Dumani theksoi nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar për ecurinë e hetimeve.
“Sa i takon çështjes, që ju e quani çështje “McGonigal”, po është në fazën e hetimit paraprak. Janë kryer hetime në vend, por jemi në pritje të autoriteteve të huaja, pasi duhet edhe bashkëpunimi i autoriteteve të huaja. Dhe jemi në pritje të kërkesës me shkrim që u kemi çuar si edhe për ndihmë juridike,” u shpreh kreu i SPAK.
Charles McGonigal, ish-agjent i lartë i FBI-së amerikane në Nju Jork, është dënuar në SHBA për pastrim parash, në lidhje me oligarkun rus Oleg Deripaska. Ai akuzohet gjithashtu për marrjen e mbi 200 mijë dollarëve nga një personazh shqiptar, veprim që sipas opozitës është bërë në kuadër të lidhjeve të tij me kryeministrin Edi Rama.