Sherr në Durrës: 37-vjeçar godet kushërinjtë
Policia e Durrësit ka zbardhur detaje lidhur me një konflikt të ndodhur në zonën e Spitallës, ku dy persona mbetën të plagosur. Mësohet se autori i dyshuar i ngjarjes, një 37-vjeçar me inicialet K. K., është vënë në pranga.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:30, në lagjen numër 15, ku shtetasi K. K. dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta shtetasit B. Xh., 66 vjeç, dhe A. Xh., 61 vjeç, të cilët janë kushërinj.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë organizuar veprimet për kapjen e autorit dhe sqarimin e rrethanave. Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, 37-vjeçari u arrestua në flagrancë.
Gjithashtu, dyshohet se gjatë konfliktit, 37-vjeçari ka qëlluar në ajër me një armë me fishekë manovër. Arma është gjetur dhe sekuestruar si provë materiale.
Të dy të dëmtuarit po marrin asistencë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Materialet e rastit do t’i kalojnë Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.