Lajmeneutrale

Vettingu i Prokurorit Ylli Pjetërnikaj, konfirmim i prerë

Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka shpallur të premten, më 17 tetor, vendimin për pushimin e gjykimit të çështjes së vetingut të prokurorit të Tiranës, Ylli Pjetërnikaj. Ky vendim konsiderohet formë e prerë për konfirmimin e tij në detyrë.

Prokurori Ylli Pjetërnikaj ishte konfirmuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (K KPK) më 27 prill 2023, pasi nuk u konstatuan probleme me figurën dhe pasurinë, duke aplikuar parimin e objektivitetit dhe proporcionalitetit.

Vendimi i KPK-së u ankimua pranë Kolegjit nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa. Ai pretendonte se nuk ishte provuar e kundërta e barrës së provës, lidhur me të ardhurat e deklaruara nga Pjetërnikaj para fillimit të detyrës, të cilat pretendohej se ishin përfituar nga ferma bujqësore dhe blegtorale e familjes së tij.

Në përfundim të parashtrimeve, u konstatua se drejtuesi i SPAK-ut mbështeti shkaqet e ankimit. Megjithatë, gjatë bisedimeve përfundimtare, u arritën konkluzione të ndryshme, duke vlerësuar se pasaktësitë e konstatuara nuk sillnin penalizim. Kërkesa përfundimtare ishte lënia në fuqi e konfirmimit të prokurorit Pjetërnikaj.

Subjekti shpjegoi se nuk kishte pasur kontribut në të ardhurat familjare nga ferma, pasi ishte i mitur ose në shkollë në kohën kur ato ishin krijuar. Ai theksoi se të ardhurat ishin krijuar dhe deklaruar para fillimit të detyrës, me burime të verifikueshme.

Bazuar në kërkimin përfundimtar të drejtuesit të SPAK-ut, Kolegji konstatoi se objekti i ankimit ka humbur, duke sjellë mungesën e lëndës procedurale. Vijimi i shqyrtimit të një ankimi të tillë do të cenonte procesin e rregullt ligjor.

Vendimi i KPA-së është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm. Pjetërnikaj ka punuar si prokuror në Kukës, Shkodër, Lezhë dhe Tiranë, dhe aktualisht është pedagog pranë Shkollës së Magjistraturës.