Rusia dënon ushtarë ukrainas: Akuza terrorizmi
Rusia ka shqiptuar dënime me burgim për 15 ushtarë ukrainas, të cilët akuzohen për terrorizëm. Vendimi, sipas AFP, vjen pas një procesi gjyqësor që Kievi e ka cilësuar si farsë dhe shkelje të normave ndërkombëtare.
Gjykata ushtarake ruse ka dënuar 15 anëtarë të batalionit “Aidar”, të cilin Rusia e ka klasifikuar si grup terrorist, me burgime që variojnë nga 15 deri në 21 vjet. Ky është i dyti gjyq i të burgosurve të luftës ukrainas që nga marsi, kur 23 anëtarë të brigadës elitare “Azov” u dënuan për akuza të ngjashme, duke nxitur po ashtu reagime të forta nga Ukraina.
Dmytro Lubinets, i dërguari i të drejtave të njeriut i Ukrainës, e ka quajtur procesin kundër anëtarëve të “Aidar” si “të turpshëm”, duke akuzuar Rusinë për kriminalizimin e atyre që kanë mbrojtur atdheun e tyre.
Zëdhënësi i “Aidar”, Ivan Zadontsev, ka denoncuar procedurat si “një gjyq politik” dhe ka premtuar vazhdimin e përpjekjeve për lirimin e të burgosurve të luftës.
“Memorial”, një organizatë e njohur ruse për të drejtat e njeriut, ka cilësuar të pandehurit si të burgosur politikë, duke argumentuar se gjyqi ka shkelur konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e të burgosurve të luftës. Sipas tyre, të pandehurit po gjykohen vetëm për shkak të shërbimit në batalionin “Aidar”, jo për krime specifike lufte.